​Osmani: Kosova shquhet në rajon dhe përtej si shembull i demokracisë

​Osmani: Kosova shquhet në rajon dhe përtej si shembull i demokracisë

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi të premten se Kosova shquhet në rajon dhe përtej si shembull i demokracisë.

Në pritjen shtetërore me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se “në një ditë të bukur si kjo, është prezenca e miqve dhe dashamirëve që e bënë festën tonë edhe më madhështore”.

Para diplomatëve të shumtë dhe përfaqësuesve të tjerë politikë, e para e shtetit u shpreh se aleatët dhe miqtë kanë qenë burim shprese dhe inkurajimi për Kosovën.

“Aleatët dhe miqtë tanë kanë qenë burim shprese dhe inkurajimi duke na ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë më se të nevojshme. Jeni ju të dashur miq, partneritetet, miqësitë dhe aleancat tona që na keni mundësuar të qëndrojmë të fortë dhe krenar edhe përballë fatkeqësive”.

“Nga ju dhe përmes jush, ne kemi mundësuar se ne nuk jemi vetëm. Të dashur miq, me një ambient me një pjesëmarrje të tillë, natyrisht do të hasim edhe në dallime mes nesh, por ka një gjë që na bashkon, sonte jemi të përbashkuar për të nderuar republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, e cila shquhet në rajon dhe përtej si shembull i demokracisë”, tha mes tjerash Osmani.

Ajo shtoi se shtet-ndërtimi dhe demokracia janë projekte që duhet punuar vazhdimisht.

“Ndër vite kemi treguar se jemi të aftë të arrijmë gjëra të mëdha kur punojmë së bashku. Kemi krijuar një shoqëri që është e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Kemi krijuar institucione që janë të përgjegjshme, transparente dhe efektive. Të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për brezat e ardhshëm”, përfundoi Osmani.

LEXO EDHE:

Back to top button