Osmani: Me Serbinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka ripërsëritur qëndrimin zyrtar se me Serbinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes reciproke me kufijtë aktual të Kosovës. Osmani në konferencën e përbashkët me homologun e saj austriak, u pyet nga gazetarët edhe për qëndrimin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë, i cili po vazhdon me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Ajo tha se BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të luajë me dy karta, porse duhet të qartësojë pozicionin e saj. Ajo ftoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq që së paku të vendosë një lule në Batajnicë në shenj nderimi për qindra fëmijë e civilë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ndërkohë presidenti serb Vuçiq ka theksuar se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen. Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.

LEXO EDHE:

Back to top button