Osmani: Mospranimi i fajit nga Serbia po e mban peng dialogun

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Serbia që t’i kthejë në Kosovë të gjithë trupat e shqiptarëve të vrarë.

Ajo në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Nderimit të Viktimave të Krimeve dhe Gjenocidit, ka thënë se Kosova duhet ta ngrit zërin për këtë çështje.

“Jemi këtu për ta ngritur zërin tonë për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi i Millosheviqit. Jemi mbledhur për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur për vrasjen e mbi 13 mijë njerëzve tanë. Për ta ngritur zërin për mbi 1600 të pagjeturit tanë. Ata janë të pagjetur të fshehur nga pasardhësit e regjimit të Millosheviqit”, është shprehur Osmani, njofton Klan Kosova.

“Këta persona nuk janë të pagjetur, por të zhdukur me dhunë. Po bëhet thirrje nga Serbia që të mos gjinden kurrë. Ne kërkojmë drejtësi – kthimin e tyre në tokën e tyre, pranë familjeve të tyre. Serbia duhet ta pranojë peshën historike të kryerjes të gjenocidit kundërt shqiptarëve. Ajo duhet t’i përgjigjet thirrjeve të vazhdueshme për të dhënë informata për krimet e kryera. Të heshtim mundemi vetëm kur përkulemi para varreve të tyre, kur përkulemi për t’i nderuar secilën nga këto viktima. Atëherë heshtja kumbon”.

Osmani ka thënë se krimi i kryer nuk mund të fshihet dhe që Serbia duhet t’i pranojë të bëmat e saj.

“Jemi këtu sot për të dëshmuar për zërin e pamundur të viktimave të gjenocidit serb të kryer më 1999 që po mbytet çdo ditë. Krimi nuk mund të fshihet dhe fshehja e tij është krim i shumëfishtë. Rrëfimi për gjenocidin serb është i domosdoshëm. Ne duam të dëshmojmë sepse nuk duam dhe nuk do të harrojmë kurrë. Regjimi i sotëm serb në Beograd po i fsheh ende dhe ata vazhdojnë të jenë historia më e trishtë e vendit tonë”.

“Sot Vuçiq vazhdon ta glorifikojë Millosheviqin dhe nuk ka vënë një lule për viktimat e masakrave. Mospranimi i fajit nga Serbia e mban peng dialogun. Ne nuk mund të heshtim dhe nuk do të rreshtim së punuari që paqja të mbretërojë në hapësirat që jetojmë”.

“Paqja është e mundur vetëm kur thuhet dhe pranohet e vërteta. E vërteta e vetme është ajo që ka ndodhur para syve të gjithë botës, që Serbia krehur gjenocid dhe që ne ishim viktima të këtij gjenocidi”.

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button