Veteranët protestojnë më 16 nëntor në Strasburg, Gucati: Dëshmia e Clark do të jetë bombë

Veteranët protestojnë më 16 nëntor në Strasburg, Gucati: Dëshmia e Clark do të jetë bombë

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë më 16 nëntor para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, në konferencë për media të mërkurën, tha se do të protestojnë për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia përkujtuar institucioneve evropiane se kanë themeluar një gjykatë etnike mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

Gucati bëri thirrje për pjesëmarrje edhe të mërgatës shqiptare në këtë protestë, ndërsa tha se do t’ua dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”.

“Kategoritë e dala nga lufta kanë vendosur që protestën e radhës ta organizojnë më 16 nëntor, në orën 13:00, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg. Arsyeja pse është zgjedhur ky vend, besoj e dini, sepse pikërisht në këtë vend, në Francë, në KiE është marrë vendim për një gjykatë të padrejtë që është bërë ndaj nesh. Është formuar një gjykatë e një etnie, ku vetëm shqiptarët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përndjek. Kjo është një arsye pse ne kemi vendosur të mbajmë protestë para parlamentit. Ju e dini, Dick Marty padrejtësisht i bindi anëtarët e atij parlamenti që të votojnë atë gjykatë të mjeruar… Do të protestojmë për të kërkuar drejtësi dhe do t’ia përkujtojmë institucioneve të Evropës që e kanë votuar një gjykatë të padrejtë dhe me gënjeshtrat e Dick Martyt dhe disa njerëzve që kanë gënjyer atje dhe janë bërë dëshmitarë pa qenë në luftë e në Kosovë. Kemi vendosur që deputetëve të Parlamentit të Këshillit të Evropës t’ua dërgojmë edhe nga një letër, pikërisht për Gjykatën Speciale, dhe t’ua tregojmë atyre se çfarë kanë votuar. Të gjitha ato vërejtje, shkelje i kemi vendosur në dokumentacione për secilin deputet që ta lexojë dhe ta dijë vetë se çfarë gjykate janë duke financuar”, tha ai.

Paraprakisht, veteranët kanë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin e njëjta nuk do të mbahet për shkak të situatës politike atje. Ndërkaq, ritheksoi se nuk planifikojnë të organizojnë protestë as në Luginë të Preshevës.

“Në Maqedoninë e Veriut për momentin jo. Janë duke u mbajtur zgjedhjet dhe kanë shkuar në balotazh. Nuk duam të shkojmë të mbajmë protesta në Shkup, ajo do të mbahet, por për momentin jo. Mund të dalë situata prej kontrollit, mund të ketë provokime. Për t’i ikur problemeve, ne nuk duam të thuhet se shoqatat e dala nga lufta në Kosovë erdhën dhe trazuan vendin, jo… Për Preshevë ju them jo. Atje situata është shumë e nxehtë, ju e shihni bastisjet atje nga Serbia te pjesëtarët e luftës. Edhe po të duam, ne nuk dëshirojmë të rrezikojmë njerëzit dhe shokët tanë”, tha ai.

Krahas kësaj, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.

“Dëshmia e Clark do të jetë një bombë për ta. Një bombë shumë e madhe, pasi është një sukses i madh që kanë arritur ta bindin. Në Amerikë duhet të marrësh leje për të shkuar për të dëshmuar. E falënderojmë shtetin amerikan që i ka lejuar të dëshmojë dhe mezi po presim të dëgjojmë dëshminë e Clark më 19 nëntor”, tha ai.

Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark ka drejtuar fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, të cilat kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve, duke luajtur një rol kyç në largimin e regjimit të Serbisë nga Kosova.

LEXO EDHE:

Back to top button