Krerët e dy partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës , Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku kanë kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa e tyre u bë gjatë takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Matthew A. Palmer, i cili po qëndron në Kosovë në të njëjtën ditë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në përpjekje për t’i dhënë shtysë rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas një komunikate për media nga Partia Demokratike e Kosovës, Hoxhaj në takim ka sqaruar pozicionin e PDK-së karshi dialogut, me theks të veçantë me pritjet e kësaj partie që ky proces të përfundojnë me njohje të ndërsjelltë. Ndërsa në njoftimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet se kryetari Abdixhiku ka thënë në takim se SHBA-ja është partnerja më e fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
362 1 minute read








