Parlamenti Europian “dritë jeshile” për reformën e imigracionit

Parlamenti Europian “dritë jeshile” për reformën e imigracionit

Sot është një ditë historike për Parlamentin Europian pasi u miratuan propozimet përkatëse legjislative për reformën e politikave të imigracionit dhe azilit.

“Ne kemi kryer detyrën tonë”, shkroi presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metzola në një postim në Twitter pak pasi procesi i votimit përfundoi.

“ Ne po japim një mesazh se ‘negociatat mund të fillojnë. Ne presim që Këshilli Europian t’i përgjigjet në kohë angazhimeve të tij”, tha ajo.

Konkretisht sot u miratuan:

Kontrolli i shtetasve nga vendet e treta

Vendimi për hapjen e negociatave për rregulloren e re u votua me 419 vota pro, 126 kundër dhe 30 abstenime. Këto rregulla do të zbatohen në kufijtë e BE-së për personat që në parim nuk i plotësojnë kushtet për hyrje në shtetin përkatës anëtar të BE-së.

Plani parashikon procedura për identifikimin, marrjen e gjurmëve të gishtërinjve, kontrollet e sigurisë dhe një vlerësim paraprak të shëndetit dhe cenueshmërisë së tyre.

Nëpërmjet amendamenteve që miratuan, eurodeputetët shtuan një mekanizëm të pavarur monitorues të të drejtave themelore në projektligj, i cili do të kontrollojë gjithashtu mbikëqyrjen e kufirit për të siguruar që kthimet e mundshme të regjistrohen dhe hetohen.

Menaxhimi i azilit dhe imigracionit

Pjesa tjetër ka të bëjë me menaxhimin e azilit dhe migracionit, dhe u votua nga  eurodeputetët me 413 vota pro, 142 kundër dhe 20 abstenime.

Konkretisht, kjo rregullore do të përcaktojë mënyrën se si  Bashkimi Europian he shtetet e saj anëtare do të veprojnë së bashku në këtë fushë. Sipas planit, do të vendosen disa kritere për të përcaktuar se cili shtet anëtar do të bëhet përgjegjës për shqyrtimin e një kërkese për azil (të ashtuquajturat “kriteret e Dublinit”).

Eurodeputetët gjithashtu duan që rregullorja të përfshijë një mekanizëm solidariteti të detyrueshëm për të ndihmuar vendet nën presionin e migracionit, duke përfshirë zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit në det.

Menaxhimi i krizës së emigrantëve

Vendimi për hapjen e negociatave për përmirësimin e krizës u votua me 419 vota pro, 129 kundër dhe 30 abstenime.

Kjo ka të bëjë kryesisht me mbërritjet masive të papritura të shtetasve të vendeve të treta, që çojnë në një krizë  në një shtet të caktuar anëtar, dhe parashikon zhvendosjen e detyrueshme përsa i përket kontrollit dhe procedurave të azilit, bazuar në një vlerësim paraprak nga Komisioni.

Shtetasit me qëndrim afatgjatë

Me 391 vota pro, 140 kundër dhe 25 abstenime, eurodeputetët miratuan mandatin për ndryshimet në Direktivën aktuale për shtetasit e vendeve të treta me qëndrim afatgjatë.

Në ndryshimet përfshihet përshpejtimi i dhënies së lejeve pas 3 vitesh qëndrimi të ligjshëm  dhe mundësia e integrimit të personave që gëzojnë status të përkohshëm mbrojtjeje.

Shtetasit që kanë vite që qëndrojnë në Bashkimin Evropian do të jenë ende në gjendje të lëvizin në një vend tjetër të BE-së pa kufizime shtesë të punës dhe fëmijët e tyre do të marrin automatikisht të njëjtin status.

LEXO EDHE:

Back to top button