Pas njoftimit të Policisë për protestën e veteranëve, shihen autoblinda nëpër rrugët e Prishtinës

Pas njoftimit të Policisë për protestën e veteranëve, shihen autoblinda nëpër rrugët e Prishtinës

Pas njoftimit që ka lëshuar Policia e Kosovës lidhur me mbarëvajtjen e protestës së nesërme të paralajmëruar nga OVL e UÇK-së, autoblinda të Policisë janë parë në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë.

Nga pamjet shihet se Policia e Kosovës është duke u përgatitur për protestën e nesërme.

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar për protestën e organizuar për nesër nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ky institucion kanë thënë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se sot janë takuar me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve, me të cilët kanë folur rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në komunikatë.

Policia ka ftuar pjesëmarrësit për protestë paqësore.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet në komunikatë.

LEXO EDHE:

Back to top button