Pas raportimit të Alsat, largohet një deponi e mbeturinave, por ende Shkupi ‘vlon’ nga bërllogu

Pas raportimit të Alsat, largohet një deponi e mbeturinave, por ende Shkupi ‘vlon’ nga bërllogu

Gazetar: Avni Tahiri

“Vetëm një ditë pas reagimit të TV Alsat nga ankesat të cilat i pranuam nga ana e qytetarëve për deponinë e egër e cila ishte krijuar vetëm disa metra përballë ambasadës së Amerikës, kjo deponi sot është larguar ndërsa vazhdojnë të mbeten edhe shumë të tjera në të gjithë qytetin e Shkupit ndërsa ankesa nga qytetarët pranojmë çdo ditë”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

Ndërkaq, një ditë më parë ky vend dukej kështu.

Por, në shumë vende të kryeqytetit gjendja mbetet alarmante. Qytetaret shprehen të shqetësuar dhe druajnë nga përhapja e infeksioneve.

“Nuk është në asnjë ligj kjo t’i lënë mbeturinat në rrugica, kjo është sëmundje, kjo është 100% sëmundje. Udhëheqësit duhet të lëshojnë inspektoratin që të shohin se çfarë bëhet në qytetin e Shkupit, marrin rroga e rrinë në kafeteri apo shëtitin lartë-poshtë e nuk shohin çfarë behët me mbeturinat e pastaj mbushen klinikat përplot pacientë. Pacientët s’kanë ku të shkojnë nga rrëmuja”, tha një qytetar.

“Keq është ky imazh nuk është vetëm këtu por në të gjithë Shkupin ndërsa me qarkullimin është katastrofë, u mbyta duke dhënë para për taksi”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Kjo pamje është alarmante, gjithçka varet nga qeveria e më poshtë, çfarë të vendosin ata ajo bëhet, për paratë janë të paret ndërsa ne punëtoret jemi poshtë e më poshtë”, theksoi një qytetar.

“Duhet të pastrohet qyteti, rrugët, kundërmon ere të keqe. Faji është tek kryetarja e qytetit, edhe me autobusët njëjtë e sidomos me nëntëmbëdhjetën dhe njëzetën nuk ka aspak shkojnë me taksi nga puna, nga dy orë presin me taksi udhëtojnë”, tha një qytetar.

Kryeministri Mickoski i cili një ditë më parë i dha “afat të arsyeshëm” kryetares së Qytetit të Shkupit, që të zgjidh kaosin në kryeqytet, sot nuk tregoi se sa kohë parashikon ky afat. Mickoski tha se nëse dështojnë përpjekjet për zgjidhje, atëherë do të ndërmerr masa radikale.

“Mund të them se për çdo zgjidhje jam i gatshëm dhe nëse shohim se nuk ka progres atëherë duhet të shkojmë në mënyrë radikale apo të shprehem në fjalor mjekësor që të mos hyjmë në mënyrë invazive në storien dhe të hyjmë edhe në të shëndoshën por të mundohemi ta sanojmë atë që mund të sanohet me bisedime, politike, diplomaci dhe nëse shohim se nuk ka progres do të duhet në mënyre invazive ta zgjidhim problemin”, tha kryeministri Mickoski.

Ditë më parë, krerët e komunave të Shkupi kërkuan nga qeveria t’i merren kompetencat qytetit të Shkupit për ndërmarrjet “Higjiena Komunale”, dhe “Parqet dhe Gjelbërime”. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button