Pas raportimit të Alsat, priten shkarkime në Onkologji

Pas raportimit të Alsat, priten shkarkime në Onkologji

Gazetar: Adnan Qaili

Lidhur me skandalin e terapive të kancerit në Klinikën e Onkologjisë, brenda 48 orëve pritet të ketë shkarkime të udhëheqësisë, shkruan Alsat.

Pas raportimit të vazhdueshëm të Alsat, Kryeministri Kovaçevski tha se nuk do të tolerojë diçka të tillë, megjithëse ky fenomen për tre mujorin e fundit i ka kushtuar Fondit shëndetësor mbi 5,5 milion euro.

Ai tha se ka angazhuar resorin e shëndetësisë që t’i raportoj përveç Klinikës së Onkologjisë, dhe Klinikës së Pediatrisë lidhur me pagat e drejtoreshës.

“Deri më tani kam dëshmuar se nuk jam edhe aq tolerant dhe në bazë të fakteve i marr vendimet. I kërkova Ministrit të Shëndetësisë deri sot të përgatis raport për dy klinika në QKU ‘Nënë Tereza’. Në bazë të atij raporti besoj se për 48 orë mund të merrni përgjigje për pyetjen tuaj”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

I pyetur për më shumë detaje, Ministri Bekim Sali tha se nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme ka përgatitur raport jo për 2 por për 12 klinikat, për të cilat do të diskutohet në seancë qeveritare për vendimmarrje. Ai tha se raportin e njëjtë do ta kenë në duar edhe organet e hetuesisë që nëse ekzistojnë dyshime të bazuara për keqpërdorime, shkarkimi nga pozita do të jetë hapi parë para dhënies së përgjegjësisë para ligjit.

“Do të revidojmë punën e të gjitha klinikave, duke filluar nga QKU ‘Nënë Tereza’ dhe pastaj kalojmë në fazën e dytë që ka të bëj me të gjitha institucionet shëndetësore publike. Edhe përskaj kërkesës për dy klinika, unë do ti dorëzoj raportin për 12 klinika. Në bazë të tyre do të merren vendime për veprime të mëtutjeshme. Angazhimi jonë për revidimin e punës së menaxherëve të institucionet shëndetësore publike do të vazhdoj deri në sqarimin e situatës së përgjithshme për respektimin e marrëveshjes kolektive por edhe praktika të tjera të cilat për fat të keq në disa institucione nuk janë respektuar”, u shpreh Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Në Klinikën e Onkologjisë për së paku tre muaj ka mungesë të disa barnave kundër kancerit, të cilat sipas drejtorisë nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm edhe përkundër buxhetit vjetër që paraparë. Ndërkaq në Klinikën e Pediatrisë, drejtoresha dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për përvetësim të pagave të larta dhe mëditjeve nga kujdestaritë. Për keqpërdorime nëpër klinikat tjera, pritet raporti i Qeverisë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button