Pas të nxehtit ekstrem mbi 40°C, Evropa goditet nga stuhi dhe përmbytje të forta

Gazetare: Lisa Alili

Më e goditura ishte Rumania, ku kryeqyteti Bukureshti dhe 20 rajone të tjera u përballën me reshje intensive. Rrugë, ndërtesa e stacione u përmbyten ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë në mijëra raste për të larguar ujin dhe për të pastruar pemët e rrëzuara. Një person madje humbi jetën në rajonin e Ilfovit, pasi një pemë u rrëzua mbi automjetin me të cilin udhëtonte. Ndërkaq autoritetet raportojnë se pas mijëra thirrjeve të marra, qindra shtëpi dhe automjete pësuan dëme nga moti i ligë.

Edhe Austria raportohet të ketë pësuar dëme të shumta nga stuhitë e fuqishme të shoqëruara me reshje të dendura dhe erëra te forta. Përmbytjet lokale shkaktuan dëme në disa rajone, ndërsa autoritetet konfirmuan një viktimë si pasojë e motit ekstrem. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën për të pastruar zonat e prekura dhe rikthimin në normalitet.

Një fenomen i pazakontë u paraqit në Gjermani ku një vorbull uji u formua mbi një liqen në një ngjarje të rrallë moti që shkaktoi trazirë në zonë. Fenomeni u pa duke u formuar mbi Liqenin Constance pranë Lindau.

Meteorologët shpjegojnë se kontrasti mes valës së fortë të të nxehtit dhe depërtimi i ajrit të ftohtë krijon kushte për stuhi të fuqishme që çojnë në përmbytje të menjëhershme. Vazhdojnë paralajmërimet për mot të paqëndrueshëm në disa zona të Evropës Juglindore./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button