Pas vetos bullgare, opozita kërkon përgjegjësi nga Qeveria

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrin Zoran Zaev, bashkë më ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministrin për Eurointegrime, Nikolla Dimitrov. Sipas tyre, vetoja e Bullgarisë për datën e negociatave dëshmon gënjeshtrën disa vjeçare të Qeverisë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se Qeveria LSDM-BDI ka dështuar gjashtë herë radhazi për të marr datë për fillimin e negociatave. Sela kërkon Qeveri të zgjeruar deri në zgjedhjet lokale.

Vendi patjetër të bëj Qeveri të zgjeruar dhe deri në zgjedhjet lokale të arrihet gjuha përbashkët edhe më Bullgarinë që deri atëherë kjo Qeveri e zgjeruar të marr përsipër zhbllokimin e ngërçit të radhës – deklaroi Ziadin Sela, Kryetari i ASH-së.

Opozita maqedonase kërkon largimin e Zaevit duke thënë se gënjeshtra e tij vërehet nga aeroplani. VMRO-DPMNE-ja konsideron se Zaev duhet mbaj përgjegjësi për gënjeshtrat e tij nga korriku i vitit 2018.

Zaev duhet të jap dorëheqje sepse ka gënjyer popullin maqedonas se marrëveshja me Bullgarinë i mbyll të gjitha çështjet dhe se shteti bullgar do të jetë mbështetësi kryesor. Dorëheqje sepse problemet bilaterale me Greqinë dhe Bullgarinë i përfshin në marrëveshje të cilat më pas bëhen kusht për negociata – u shpreh Stefan Andonovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por Qeveria vlerëson se dorëheqja nuk është përgjegjësi dhe se vendi nuk duhet shkëputur nga rruga drejtë BE-së.

Do të ishte e papërgjegjshme që Qeveria të jep dorëheqje dhe e papërgjegjshme ndaj qytetarëve të cilët kanë votuar një Qeveri me agjendë Evropiane të cilës i kanë besuar – u shpreh Dushko Arsovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Qeveria hedh poshtë kërkesat e opozitës për takim liderësh, përkundër paralajmërimeve të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se në rast neglizhence nga Qeveria, partitë opozitare do të mblidhen për të ndërtuar qëndrim të unifikuar kundrejt kontestit me Bullgarinë. Në vitin 2019 Zaev kishte deklaruar se në rast se vendi nuk merr datë për negociata vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Pas vetos nga Franca Zaev kishte kërkuar zgjedhje të cilat u caktuan për në muajin prill, por për shkak të pandemisë u shtyn deri në korrik. Datë për negociata në nëntor të këtij viti Zaev kishte premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore. Ditë më parë, Zaev deklaroi se vetoja e Bullgarisë nuk e motivon të dorëhiqet nga pozita e kryeministrit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button