Kyçja “online” e deputetëve përplas partitë

Propozimi për ndryshimin e Rregullores nuk është vendosur akoma në rend dite. Edhe koordinimet e fundit mes kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare duket se nuk kanë pasur sukses, meqë opozita nuk ka ndryshuar qëndrim, nuk pranon asnjë formë të kyçjes së deputetëve “online” në punën e Kuvendit.

 “Kjo nuk është e mundur sepse me këtë shkelet Kushtetuta, gjë që s’do të ishte hera e parë për këtë pushtet. Por ne si të zgjedhurit e popullit dhe si organizëm i shtetit që ka kompetenca më të mëdha t’i përfaqësojë parimet demokratike dhe vlerat e sistemit, duhet të mbetemi të guximshëm dhe të përkushtuar për detyrën që kemi përsipër’ deklaroi Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare ndërkohë nuk beson në kredibilitetin e këtij procesi dhe thotë se Kuvendi ka mjaftë deputetë të tjerë që nuk kanë vendim për izolim, me të cilët puna mund të vazhdojë.

Sipas pushteti, kyçja “online” e deputetëve që kanë vendim për izolim do të mundësojë vazhdimin e punës së Kuvendit pa pengesa si dhe mundësi ligjore që ligjvënësi të punojë edhe në rast të rritjes së numrit të deputetëve të infektuar.

Zyrtarisht, tre deputetë të pushtetit janë në izolim për shkak të infektimit me virus korona. Jozyrtarisht, po aq deputetë janë në izolim edhe nga radhët e opozitës. Nisma për ndryshimin e Rregullores është e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi. Ajo parashikon që deputetët të cilët kanë vendim për izolim ta njoftojnë kreun e Kuvendit, ta dorëzojnë vendimin zyrtar për izolim nga autoritetet shëndetësore si vërtetim dhe t’i mundësohet pjesëmarrja virtuale dhe votim “online” në seancat plenare dhe në punën e komisioneve. Nisma parashikon obligimin e Kuvendit që deputetit t’i sigurojë pajisje teknologjike për këtë qëllim.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button