Pasojat e tërmetit në Shqipëri, 7 ish-zyrtarë nën akuzë

Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës, pas gati dy vjetësh, ka ngritur akuzë për disa ish zyrtarë të zyrës së urbanistikës dhe Inspektoriatit të Ndërtimit në zonën e Farkës, lidhur me dëmet e shkaktuara në disa objekte të ndryshme, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019

Prokuroria ka çuar kërkesën për gjykim për ish drejtuesin e zyrës urbanistike të Farkës Viron Çipi dhe 4 vartës të tij. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, duke qenë se sipas prokurorisë, kanë miratuar leje ndërtimi në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm.

Po ashtu dhe dy ish kryeinspektorët e ndërtimit, po të njësisë administrative Farkë, akuzohen se nuk kanë bërë verifikimet e duhura duke mos konstatuar në këtë mënyrë mangësitë në dokumentacion të disa lejeve të ndërtimit.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që në të njejtin proces të gjykohet dhe një sipërmarrje private, lidhur me ndërtimin e një pallati që u dëmtua rëndë gjatë tërmetit.

Në Janar të vitit të kaluar Prokuroria e Tranës arrestoi 31 persona, zyrtarë dhe ish zyrtarëve të ndryshëm, të cilët, thuajse të gjithë, rifituan më pas lirinë.

Tërmeti i 26 nentorit shkaktoi 51 viktima, mbi 900 të plagosur ndërsa mbi 200 mijë tjerë u prekën nga pasojat e tij.

LEXO EDHE:

Back to top button