Pavijoni i Britanisë së Madhe merr “Luanin e Artë” në Bienalen e Artit në Venecie

Pavijoni i Britanisë së Madhe merr “Luanin e Artë” në Bienalen e Artit në Venecie

Pavijoni i Britanisë së Madhe në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, që përfaqësohet nga artistja Sonia Boyce ka marrë “Luanin e Artë” në ekspozitën ndërkombëtare më të vjetër dhe më prestigjioze në botën e artit bashkëkohor.

“Feelind Her Way” – instalacion zëri të pesë muzikanteve afro-amerikane britanike që këndojnë a cappella – u shpall më i miri në nivel pavijonesh shtetërore. Boyce u bë gruaja e parë me ngjyrë që përfaqësoi Britaninë në Bienalen e Venecias.

Çmimin tjetër të madh, “Luanin e Artë” për artistin më të mirë në ekspozitën qendrore e mori artistja amerikane, Simone Leigh, për veprën “Shtëpia me tulla”. Ajo prezanton një grua në bust të kombinuar me një shtëpi balte. Për herë të parë ishte ekspozuar në New York në vitin 2019. Leigh po ashtu po e përfaqëson SHBA-në në ngjarjen e sivjetme dhe ka një ekspozitë të gjerë në Pavijonin e ShBA-së.

“Projekti në qendër të pavijonit ka të bëjë me çështjen e kujtimit kolektiv dhe rezistencës ndaj fshirjes së zërave të grave brenda sistemit muzikor britanik”, ka thënë Boyce pas ceremonisë të shtunën. “S’jam duke festuar veç unë”.

Juria prej pesë anëtarësh kryesohet nga Adrienne Edwards, drejtoreshë e çështjeve kuratoriale në Muzein Whitney të Muzeut Amerikan të Arteve në New York dhe kuratore e Bienales Whitney 2022.

Në shpalljen e çmimeve, që u transmetuan direkt të shtunën nga Venecia, Edwards u shpreh se Boyce ofroi “tjetër lexim të historive përmes zërit”.

“Duke bashkëpunuar me gra të tjera me ngjyrë, del në pah një bollëk historish të heshtura”, ka thënë Edwards.

Çmimin tjetër të madh, “Luanin e Artë” për artistin më të mirë në ekspozitën qendrore e mori artistja amerikane, Simone Leigh për veprën “Shtëpia me tulla” (Foto: AP)
Janë 80 shtete që përfaqësohen me pavijone në edicionin e sivjetmë krahas ekspozitës kolektive që ka mbledhur 213 artistë. Presidenti i Bienales, Roberto Cicutto dhe kuratorja e këtij edicioni, Cecilia Alemani, kur kishin folur për temën qendrore të edicionit të sivjetmë – “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave) – kishin thënë se pas problemeve e rrëmujës që ka shkaktuar pandemia, tash është një tjetër stuhi, ajo e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Pavijoni i Ukrainës ka marrë goxha vëmendje sivjet, për shkak të luftës me të cilën po përballet ky shtet. Përfaqësohet nga artisti Pavlo Makov, i cili vjen nga një prej qyteteve më të goditura nga lufta, qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë, Kharkiv. Është titulluar “Fountain of Exhaustion. Acqua Alta” (Shatërvani i lodhjes. Ujë i lartë) nën kurim të Lizaveta German, Maria lanko e Borys Filonneko.

Historia e “Shatërvanit të lodhjes” ose rraskapitjes daton nga vitet ‘90 në Kharkiv. Infrastruktura e tij e rrënuar, tipike për qytetin post-sovjetik, ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë dhe hapësirat publike të neglizhuara kontribuuan në një atmosferë që ambienti të shndërrohej në rrëmujë. Asnjë nga shatërvanët publikë në Kharkiv nuk funksiononte. Sipas përshkrimit të pavijonit, një herë një aksident shkaktoi një ndërprerje katërjavore të furnizimit me ujë dhe përmbytje të mëvonshme. Ato ngjarje u bënë mjediset e zhvillimit të artistit Makov. Ai u fokusua në temën e lumenjve, shatërvanëve e liqeneve. Ukraina “Arsenale” – njëra prej dy hapësirave qendrore ekspoziese në Bienale bashkë me “Giardinin” – është në kufi me Kosovën e cila përfaqësohet me veprën “Monumentaliteti i përditshmërisë” të Jakup Ferrit. Në përfaqësimin e pestë në këtë ngjarje të madhe, shteti më i ri evropian, nën kurimin e gjermanes Inke Arns, në Pavijonin që u hap zyrtarisht të enjten, shpërfaq një botë plot ngjyra.

LEXO EDHE:

Back to top button