PDK dhe Aleanca nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës

Një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për presidentin e shtetit, deputetët e PDK-së dhe të Aleancës u mblodhën në sallën plenare të Kuvendit, për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka suprimuar demokracinë, përmes bllokimit të Kuvendit.

“Nuk ka pasur një gjendje politike më të rrezikshme, më të rëndë sesa gjendja politike që e kemi, pasi Albin Kurti e ka suprimuar demokracinë në këto javë të fundit, e ka shuar idenë e institucioneve dhe përfaqësimit politik”, deklaroi Enver Hoxhaj, PDK.

PDK dhe Aleanca gjithashtu thanë se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun, për president të Kosovës.

“Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.

“Ku janë ata që kanë marrëveshje? Ku janë sot? Nga dita e parë qëllimi nuk ka qenë të prodhojë president konsensual. Marrëveshja dy palëshe e cila ka ndodh dje duhej ta detyronte kryesuesin të thërrasë seancën”, thotë Besnik Tahiri, Aleanca.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja e diskutojnë marrëveshjen e arritur për presidentin e shtetit me struktuarat e tyre partiake. Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president u bë një ditë më parë, pas negociatave disa javëshe midis dy partive. Për zgjedhjen e tij kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende. LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota. Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button