PE: Të kushtëzohen bisedimet e Serbisë me BE-në

PE: Të kushtëzohen bisedimet e Serbisë me BE-në

Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë. Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji. Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”. Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës. Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë. Ditëve të fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse. Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button