Për tre muaj skadon afati për aplikimin e projekteve IPA

Prej mbi 160 milion euro aq sa ka në dispozicion Ministria e Mjedisit Jetësor nga fondet IPA për periudhën 2014-2020, deri më tani janë realizuar vetëm 25 milion euro. Nga ky dikaster shpresojnë se ajo që është lëshuar në gjashtë vitet e fundit, ose më saktësisht në 69 muajt e fundit, do të plotësohet deri në fund të vitit, kur do të ketë dy shpallje për projekte. Megjithatë, Ministri Naser Nuredini për Alsat theksoi se nuk mund të premtojë realizim të shtuar, por është optimist se gjërat do të ndryshojnë për mirë.

Fatkeqësisht, disa nga projektet po zhvillohen shumë ngadalë, prej kur unë fillova të punoj vitin e kaluar, departamenti filloi të punojë më mirë dhe në mënyrë më efikase, këtë e kërkova edhe nga Qeveria, por fatkeqësisht për shkak të periudhës parazgjedhore, Qeveria teknike, si dhe për shkak të të gjithë situatës nuk jam në gjendje të plotë për realizim. Po përpiqemi të përdorim çdo cent -deklaroi  Naser Nuredini, Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Përderisa Ministria e Mjedisit Jetësor ka realizuar vetëm 16 për qind të parave evropiane, Bujqësia e cila për vite me radhë kishte probleme të njëjta, ka shfrytëzuar rreth 75%. Vetëm 20 milion euro nga programi i investimeve bujqësore IPA do të mbeten të papërdorura. Me përfundimin e këtij komponenti të IPA-s, 60 milion euro do të shfrytëzohen në sektorin e bujqësisë.

Në varësi të masës, ndërsa jemi duke zbatuar tre masa, mbështetja financiare varion nga 50 për qind deri në 70 për qind. Për shembull, për fotovoltaikët, centralë mini fotovoltaike që është projektuar për nevojat e objektit, jo për shitjen e energjisë elektrike, mbështetja është 70% nga fondet e investuara -tha Nikolla Babovski, drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave, në vend të një shpjegimi konkret për realizimin e parave nga fondet IPA, dhe sa para do të mbeten të papërdorura për shkak të projekteve të këqija, morëm përgjigje të shkurtër se aktualisht janë duke u realizuar 39 projekte me vlerë prej 90 milion euro. As afate, as projekte përfundimtare, dhe as një fjalë se sa para janë derdhur në llogaritë e personave juridik dhe privat që kanë fituar projekte nga Ministria. Në programin e parë të fondeve IPA, nga viti 2007 deri në vitin 2013, në vlerë prej 622 milion euro, u përdorën vetëm 37 për qind. Për programin IPA 2 mund të aplikohet me projekte deri në fund të vitit, ndërsa për realizim ka edhe tre vjet, respektivisht deri në vitin 2023.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button