Përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së lidhur me zbatimin e agjendës reformuese

Gazetar: Suad Bajrami

Një ditë pasi kryeministri Hristijan Mickoski tha se 2 nga gjithsej 10 pika të Agjendës Reformuese nuk do të realizohen, për shkak të bllokadës së LSDM-së dhe ruajtjes së standardit të qytetarëve, sot nga partia e Venko Filipçe thonë se kryeministri po dëshiron ta arsyetojë dështimin, duke fajësuar LSDM-në.

“Hristijan Mickoski sërish e paralajmëron strategjinë e tij të njohur, kur në qershor do të bëhet e qartë se nuk ka kurrfarë përparimi në reformat, fajtor të jetë LSDM për gjoja bllokadën e Kodit Zgjedhor. Kjo është edhe një gënjeshtër klasike e Mickoskit. E vërteta është e thjeshtë VMRO-Krim i Organizuar ka shumicë absolute në Kuvend dhe mund në mënyrë të pavarur të sjellë ligje. Tani thotë konsensus, duhej konsensus për Qeverinë teknike, por me forcë e kontrabanduan dhe votuan pa kurrfarë konsensusi. Ashtu siç e shfuqizuan qeverinë teknike pa konensus dhe në mënyrë kontrabanduese, ashtu munden ta sjellin edhe Kodin Zgjedhor”, deklaroi Natasha Popoviq, LSDM.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM-ja shpërndan gënjeshtra, të cilat edhe më herët janë demantuar nga institucionet dhe figurat politike të Bashkimit Evropian.

“LSDM paraqiten si opsion proevropian, ndërsa gjithçka që do të thonë vazhdimisht demantohet nga institucionet evropiane ose eurodeputetët. Opsion proevrian është etiketë të cilën LSDM dhe Venko Filipçe vetë e ngjisin, vetëm për të dhënë arsyetime të rrejshme për të gjitha tradhtitë kombëtare të cilat i kanë bërë derisa ishin në pushtet”, tha Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.

“Edhe gënjeshtra të cilën e shpërndanë për deklaratën e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc për të cilën ai vetë demantoi, tha se Maqedonia ka përparim të madh në agjendën reformuese”, shtoi Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.

Mickoski dje tha se me braktisjen e LSDM-së nga grupi i punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk mund të vazhdojnë bisedimet për këtë reformë të cilën e financon BE-ja. Ndërkohë kryeministri tha se ka edhe një reformë të financuar nga BE, të cilën me vetëdije nuk do ta zbatojnë. Ajo ka të bëjë me kërkesën që shteti të mos e sigurojë 100% të rrymës për amvisëritë. Sipas tij, nëse këtë pikë do ta realizonin, atëherë faturat për qytetarët do të rriteshin nga 25 deri në 30%./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button