Përplasje mes Ramës dhe Bullgarisë – “Dikush duhet t’i ndihmoj me përkthimin”

Përplasje mes Ramës dhe Bullgarisë – “Dikush duhet t’i ndihmoj me përkthimin”

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Vetëm një ditë pas deklaratave të tij, Ministria e Jashtme e Bullgarisë i është kundërpërgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili në Forumin e Bledit në Slloveni u shpreh se Shqipërisë iu pengua hapja e negociatave nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë i konsideron të rreme këto deklarata të kreut të qeverisë shqiptare.

“MPJ i refuzon deklaratat e papërgjegjshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ministria e Jashtme ka shprehur tashmë qëndrimin e saj në lidhje me retorikën anti-bullgare të Edi Ramës, e cila është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimeve të tij politike. Tani është kombinuar me një fokus anti-europian dhe një përpjekje për të poshtëruar mekanizmat e procesit evropian. Deklaratat tregojnë keqkuptime rreth procesit politik për të vendosur në shinat evropiane marrëdhëniet në rajon. Bëhet fjalë ose për mungesë të aftësive komunikues evropiane ose për nxitje të qëllimshme të ndjenjave anti-europiane. Bullgaria rezervon të drejtën të reagojë në mënyrën e duhur ndaj sjelljes së Kryeministrit shqiptar, duke ndjekur parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane”, thonë nga MPJ e Bullgarisë.

E menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e kryeministrit Edi Rama i cili me anë të një statusi në rrjetet sociale duke ironizuar se Ministrisë së Jashtme nuk i është përkthyer siç duhet deklarata e tij.  Sipas Ramës ai ka përsëritur të njëjtat gjëra që tha në Qershor.

“Nëse Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kishte asgjë më të rëndësishme sot sesa një deklaratë publike për diçka që thashë në një panel të Forumit Strategjik të Bled, nuk mund ta marr si një kompliment të madh për forumin dhe panelin, duke përfshirë edhe veten time! Por seriozisht, kjo është e  pamerituar. Ndoshta dikush duhet të ndihmojë miqtë tanë të Ministrisë së Jashtme bullgare me përkthimin e qetë të përgjigjes sime në Bled se si Bullgaria bllokoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kur më në fund të gjithë të tjerët ranë dakord pas 8 vitesh të gjata! Thjesht përsërita të njëjtat gjëra që thashë në qershor”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nisën negociatat me BE-në më 19 Korrik pas vendimit të Bullgarisë për të hequr veton ndaj Shkupit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button