Përplasje politike për ndryshimet kushtetuese

Përplasje politike për ndryshimet kushtetuese

Gazetare: Evi Shkopi

Nuk ka munguar as sot reagimi i faktorit politik në vend rreth ndryshimeve kushtetuese dhe shfrytëzimit të këtij rasti për të zëvendësuar 20% me gjuhën shqipe. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, tha se do t’i shkojnë deri në fund kërkesës, të cilën sipas tij ASH-ja e ka parashtruar në 4 vitet e fundit. Taravari thotë se shqiptarët kanë respektuar gjithmonë bashkëqytetarët maqedonas, andaj tani është koha që edhe ata të tregojnë respekt të njëjtë.

“Ne kemi qenë krah atyre dhe i kemi mbështetur vazhdimisht dhe mendoj se është momenti që edhe ata të tregojnë se kanë respekt elementar ndaj shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Mendoj se përdorimi I 20% është fyes për në shqiptarët. Dhe besoj se ne do ta ecim këtë punë deri në fund dhe do të insistojmë me këmbëngulje që të hiqet formulimi 20% dhe gjuha shqipe të qëndrojë ashtu si duhet”, tha Arben Taravari- kryetar i ASH-së.

Por për ministrin Bujar Osmani heqja e 20% nuk është kusht. Sipas tij, diçka e tillë do të ishte mirë të bëhej, por vetëm nëse do arrihej konsensus. I ftuar në emisionin 306 gradë në Alsat, ai tha se për momentin tek bashkësia shqiptare ka dy koncepte, ai i BDI-së për ndërtim të një shteti të përbashkët, të qëndrueshëm, të sigurtë dhe koncepti i atyre që ende shihen si përfaqësues të një bashkësie më të vogël dhe kërkojnë të drejta të caktuara dhe të cilët sipas Osmanit kanë mbetur në filmat e viteve 90-ta.

“Është në interes të maqedonasve dhe të gjithëve që të tejkalohet kjo çështje e politizimit të procesit të regjistrimit. Megjithatë qëndrimi im është ky, nëse arrijmë të gjejmë konsensus do të ishte mirë që dhe në interes të të gjithëve për riemërtimin e 20 %. Nëse nuk mundemi nuk do të doja te jemi alibi për Mickoskin dhe kompaninë që të pengojnë të ardhmen evropiane të shtetit. Shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë arsye që ky shtet të ngec në rrugën evropiane”, tha Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski ftoi Kovaçevskin që të vendosë në rend votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij tashmë një vit pushteti thotë se ka 2/3 e votave, por nuk po e dëshmon këtë në Kuvend.

“E shfrytëzoj këtë rast që t’i bëj thirrje njeriut që është vendosur atje, Dimitar Kovaçevski dhe atij që në të vërtet e udhëheq qeverinë, Artan Grubit, së bashku me Ali Ahmetin që t’i vendosin këto kërkesa në parlament, përkatësisht të vendosin nevojën për hapjen e Kushtetutës që deputetët të mund të japin qëndrimin e tyre. Ja sa më parë”, deklaroi Hristjan Mickoski- kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Zëvendësimi i 20 % në Kushtetutë me gjuhë shqipe për disa nga partitë politike shqiptare është kërkesë kryesore për votim të ndryshimeve kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button