Përsëri premtime për hekurudhën drejt Bullgarisë
Qeveria nuk heq dorë nga ndërtimi i hekurudhës me Bullgarinë. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski e paralajmëron lidhjen infrastrukturore me fqinjin lindor si projektin më të rëndësishëm kapital, por për vitin e ardhshëm. Vlerësimi fillestar është se lidhja me Bullgarinë do t’i kushtojë vendit të paktën 600 milion euro.
Kjo hekurudhë është absolutisht e nevojshme, jo vetëm për transportin e udhëtarëve, por edhe për transportin e mallrave. Tani kemi transport mallrash me vëllim prej 90% kurse 10% është transporti i udhëtarëve. Për këtë, vlerësojmë se ky korridor është i rëndësishëm dhe do t’u japë përparësi kompanive tona”-tha Bllagoj Boçvarski- ministër i transportit dhe lidhjeve.
Deri në mars të vitit të ardhshëm, ministri siguron se do të gjendet një realizues për t’i përfunduar dy akset e para të hekurudhës me Bullgarinë. Për vitin e ardhshëm, nga arka e shtetit për punime ndërtimore parashihen rreth 30 milion euro. Sipas planit, 91 ura dhe 32 tunele pritet të ndërtohen gjatë rrugës për të arritur në kufirin bullgar. Disa muaj më parë, një kompani gjermane e ndërtimtarisë hoqi dorë nga punimet e hekurudhës kurse qeveria njoftoi padi kundër të njëjtës. Përndryshe, hekurudha për në Bullgari ka qenë premtim parazgjedhor që nga viti 1993 dhe aktualizohet përmes programeve të partive para çdo cikli zgjedhor deri më tani.
Ile Petrevski