Personat me diabet ankohen për mungesë të aparateve dhe shiritave matës të glukozës

Personat me diabet ankohen për mungesë të aparateve dhe shiritave matës të glukozës

Gazetare: Ajnur Bafqari

Mungesa e një nga 26 lloje të insulinës, shiritave për matje apo pajisjeve të tjera kundër diabetit, detyron qytetarët të bredhin nga njëra në shtëpinë tjetër të shëndetit, që në fund të zhgënjyer e duarbosh të kthehen pa mbaruar punë. Ekipi ynë takoni një 70 vjeçar që për të disatën herë kishte shkuar të pajiset me aparat për matjen e glukozës në gjak.

“ Insulinë jo, insulinë ka, por aparat nuk kam, s’ka tha aparat, shko në Bit Pazar, shko atje, s’ka. Prapë jam kthyer…Deri tash 4-5 herë është bërë, që më thonë nuk ka, ta pyes edhe sot a ka”.
Por edhe kësaj radhe përgjigja për të moshuarin ishte negative.

“Pse tregon më thanë, po duhet të tregoj, vërtetë nuk kam aparat si ta mati unë gjakun… S’kam marr akoma, aparat nuk kam, nuk di ku të shkoj”.
70 vjeçari nuk është pacienti i vetëm që ballafaqohet me përgjigje të vazhdueshme negative për mungesën e pajisjeve.

“Thotë prit prej atje lart kur të vijnë, prej ministrisë, çfarë të pres prej ministrisë. Ka 2 muaj e gjysmë ose tre që nuk ka shiritë për matjen e gjakut… Ja më thonë s’ka, s’ka, s’ka, e pesta herë që vij më thonë nuk ka, çfarë të bëjë”.

“Ata duhet ta rregullojnë këtë problem, ka kush përgjigjet për këtë. Duhet të ankohen vetë spitalet se përse nuk kanë sjellë, ai tash mund të thotë se s’ka, çfarë të bëj unë. Ata le ta rregullojnë atë problem”.

“Për shiritë është vështirë… Unë i blej vetë, 50 shiritë për 60 ditë. A mundet kjo. Më thonë mate disa herë sheqerin, si mundem unë këtë”.
Nga Lidhja e pacientëve me diabet thonë se situata vështirëson mënyrën e jetesës së personave të prekur.

“E dimë se mungesa e insulinës, momentalisht po ndodh për shkak të procedurave burokratike, kjo mund të zgjidhet shumë shpejtë, Ministria e Shëndetësisë ka kapacitet ta bëjë këtë dhe shpresojmë që të zgjidhet ky problem”, tha Dime Velev, Lidhja e diabetikëve të Maqedonisë.

Nga ministria e Shëndetësisë mbesin në qëndrimin se janë në procedurë për furnizim, por nuk ka ndonjë kohë të caktuar se kur pritet të fillojë shpërndarja nëpër barnatore. Në Maqedoninë e Veriut rreth 135 mijë qytetarë janë të diagnostikuar me diabet, ndërsa rreth 45 mijë njerëz jetojnë me insulin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button