Policë të Eulexit bastisën shtëpitë e ish drejtuesve të UÇK-së

Policë të EULEX-it kanë bastisur sot shtëpitë e ish drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit të cilët mbrëmë u dërguan në Hagë.

Aksionin e konfirmoi Zyra e Prokurorit Special në Kosovës e cila e ka cilësuar si operacion në përputhje me aktakuzat. Të hënën, siç njofton gjykatësi paraprak i hetimit, kundër Thaçit në cilësinë e përfaqësuesit politik të UÇK-së do të nis seanca e parë gjyqësore. Në aktakuzën e plotë të publikuar mbrëmë nga Gjykata Speciale, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale ku potencohen përndjekja, burgosja, arrestimit, trajtimi mizor, vrasja dhe zhdukja. Prokurori Special pretendon vërtetimin e ekzistencës së strukturës organizative të UÇK-së, derisa i thirret veprave individuale duke akuzuar për mos veprimin e strukturave në kundërshtim me konventat dhe ligjet e luftës.

Ndërmarrje kriminale e përbashkët dhe ndihmë e inkurajim, pika 32

“Kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë. Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë:
(a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

Pika 35 e aktakuzës përmend edhe persona tjerë si të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sulejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm;

Pika e 48 flet për ish presidentin Thaçi me nofkën “gjarpri” për mënyrat që dyshohet se ka përdorur për arritjen e qëllimit të përbashkët të Shtabit të Përgjithshëm. Kapitulli i bashkëveprimit kriminal përfundon me konstatimin se: Përmes këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, Hashim Thaç, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi dhanë ndihmë praktike, inkurajim dhe/ose mbështetje morale, që patën ndikim të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve të paraqitura në këtë aktakuzë”.

Akuza e shkruar nga Prokurori i Specializuar Xhek Smith përfundon me konstatimet e tij për akuzat ndaj ish përfaqësuesit politik të UÇK-së, ish shefit të shërbimit sekret, anëtarit të shtabit përgjithshëm dhe zëdhënësit të shtabit.

Akuzat:
PËRNDJEKJE
BURGOSJE
ARRESTIM DHE NDALIM TË PALIGJSHËM OSE ARBITRAR
AKTE TË TJERA ÇNJERËZORE
TRAJTIM MIZOR
TORTURË, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT
TORTURË
VRASJE E PALIGJSHME, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT
VRASJE E PALIGJSHME, KRIM LUFTE
ZHDUKJE ME FORCË E PERSONAVE

Akuza konstaton se veprat kundër njerëzimit janë kryer në Kosovë dhe në zona të Shqipërisë Veriore, së paku që prej marsit 1998 deri në shtator 1999. Në akuzë përmenden edhe lokacionet si: Likoc, Llapushnik, Jabllanicë, Drenoc, Malishevë, Bajgor, Majac, Potok, Zllazh, Kleçkë, Rahovec dhe Kukësi i Shqipërisë.

Adrian Kerimi

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button