Poligraf: Kush përhapi të pavërteta për aktgjykim për shpifje kundër një emisioni dhe redaktores së IRL?

Poligraf: Kush përhapi të pavërteta për aktgjykim për shpifje kundër një emisioni dhe redaktores së IRL?

Më 24.02.2023, disa media publikuan kumtesën e një avokateje, e cila i referohet një vendimi gjyqësor të plotfuqishëm, për shpifje të botuar në një emision të Laboratorit të reporterëve hulumtues IRL.

Në kumtesën që e botuan disa media, thuhet: “Gjykata Themelore në Shkup ka sjellë aktgjykim, të cilin e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, me të cilin IRL, ku kryeredaktore dhe redaktore përgjegjëse është Cvetkovska, janë veçmë të gjykuar për shpifje. Me këtë aktgjykim të plotfuqishëm, vërtetohet se emisioni i botuar i quajtur “Ardhmëria me rrethojë” dhe i realizuar nga IRL kundër P.V. është i rremë, i pavërtetë dhe përmban materiale shpifëse”.

Disa media kanë nxjerrë përfundime nga kjo kumtesë dhe kanë botuar se edhe kryeredaktorja e paditur e IRL, Sashka Cvetkovska, është dënuar për shpifje. Për shembull, portali “Veçer.mk” publikoi titullin “SASHKA CVETKOVSKA DHE IRL TË KAPUR NË RRENË – gjykohen për shpifje!”. Portali “Express.mk” fillimisht publikoi titullin: “Gjykata shpalli fajtorë për shpifje një redaktor dhe një media maqedonase”, ndërsa më pas në fillim të titullit shtoi “Avokatja pretendon:”.

Mirëpo, IRL “demantoi se redaktorja përgjegjëse Sashka Cvetkovska është dënuar mbi çfarëdo baze nga ana e gjykatës për shpifje dhe fyerje të kryer kundër “Beleshkov Inzhenering”, gjë që mund të shihet nga vetë aktgjykimi i bashkangjitur”.

Çfarë mund të vërtetohet nga aktgjykimi i publikuar? Së pari, shihet se kërkesa paditëse është pranuar pjesërisht nga gjykata, për shkak së është botuar një “deklaratë që përmban fakte të pavërteta”, gjegjësisht shpifje: “prokurimi është bërë pa shpallje”. Por, në aktgjykim janë refuzuar të gjitha kërkesat tjera paditëse. Prandaj, nuk është i vërtetë pretendimi i transmetuar nga mediat se emisioni ka qenë i rremë dhe i pavërtetë, por vetëm një deklaratë e bërë në të.

Në aktgjykim po ashtu thuhet se gjykata e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e padisë kundër të paditurës së dytë Sashka Cvetkovska. Prandaj, pohimet e disa mediave se edhe redaktorja Cvetkovska është gjykuar për shpifje janë të pavërteta.

Mund të konstatohet se një pjesë e mediave botuan pretendimet e avokates për një aktgjykim konkret pa e kontrolluar vërtetësinë e tyre. Me këtë, ato u bënë transmetues të informacioneve të pavërteta që nuk janë fare në aktgjykim.

Shpeshherë, mediat transmetojnë kumtesa nga burime të ndryshme pa verifikuar informacionin në to. Por detyrimi i tyre profesional nuk është të transmetojnë informacione të paverifikuara, por të publikojnë vetëm informacione të verifikuara dhe të sakta.

LEXO EDHE:

Back to top button