Prerja e druve përgjatë lumit Shkumbin, protestojnë banorët

Prerja e druve përgjatë lumit Shkumbin, protestojnë banorët

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Pronarët e shtëpive përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin në Çarshinë e Epërme në Tetovë kanë protestuar sot kundër mospastrimit të shtratit pas prerjes së druve. Kërkojnë nga institucionet që sa më shpejtë të marrin masa pasi rreziku nga përmbytjet është i madh.

“Kërkojmë që sa më shpejtë të hiqen drunjtë nga shtrati i lumit. Gjitha shtëpitë që janë rreth shtratit të lumit janë të rrezikuara dhe problemi qëndron në atë se organet komunale i pritëm me gëzim që ndërmorën aksionin sepse aty u bë si pyll nga drunjtë dhe mbeturinat, sidomos nga mos përpjekja e organeve pararendësve që nuk e panë të arsyeshme asnjëherë të merren me shtratin e lumit”, tha një banor.

“Normal do vazhdojmë me protesta, sepse ne jemi krejt të Çarshisë së Epërme”, deklaroi një tjetër banorë.

“Kërkojmë edhe nga Drejtoria e Pyjeve që të merret me këtë gjë dhe të pastrojnë lumit sepse ata reaguan dhe ata duhet ta kryejnë punën. Ne kërkojmë që të na pastrohet shtrati i lumit, kush ka kompetenca s`na intereson le ta bëjnë punën e vete”, u shpreh një tjetër banor.

Kontaktuam komunën e Tetovës nga ku u përgjigjen se çështja është në duart e ndërmarrjes së Pyjeve.
“Kemi bërë kërkesë deri tek Pyjet e Maqedonisë për largimin e druve por ende nuk kemi përgjigje. Situata në terren është ende e njëjtë sepse nuk mund të bëjnë asgjë pa marrë pëlqimin e tyre”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Nga Pyjet e Maqedonisë së Veriut thonë se kërkesa ka arritur dhe brenda ditësh do të jepet përgjigja përkatëse, varësisht nëse është vetëm për heqje të druve të prera apo ka kërkesë edhe për prerje të tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button