Prerje masive e drurëve shumëvjeçar në ‘Mega Parkun’ e Çairit

Gazetar: Avni Tahiri

Në “Mega Parkun” e Çairit, në Fushë Topanë, edhe sot punëtorët e Ndërmarrjes Parqe dhe Gjelbërim i takuam duke prerë dru të njomë, disa dhjetëra vjeçare.

Disa qytetarë, të cilët shikonin aktivitetet e punëtorëve të ndërmarrjes, thanë se nuk janë informuar paraprakisht për aktivitetet pranë banesave të tyre. Disa të tjerë kujtojnë kohën kur janë mbjellë drunjtë e rrapit, ndërsa disa të tjerë shfrytëzonin rastin për të marrë drutë e prerë për ngrohje.

“Këtë që po ndodhë as vetë nuk e di se çfarë po ndodh. A duhet të shtrohet rruga apo bëhet ndërtesë nuk e di por është dashtë që të pyeten apo informohen banorët për ndryshimet që po ndodhin këtu e atë askush nuk e bëri, e shohim që janë prerë por kujt i kanë penguar nuk e dimë”, tha një qytetar.

“Unë e kujtoj se kur erdha nga Hungaria në vitin 1976, u mbollën të gjithë këto dru. Të presësh një degë të duhen qindra dokumente të plotësosh e kjo që po ndodhë nuk tregojnë se çfarë po bëhet. Nëse e zgjerojnë rrugën do të jetë edhe më keq”, u shpreh një qytetar.

“Kur janë mbjellë drutë këtu? Shumë kohë më parë, që nga koha kur erdhëm të jetojmë këtu, që kur isha 25 vjeçare e tani jam 83 vjeçe, që atëherë u mbollën”, tha një qytetare tjetër.

Nga komuna e Çairit thonë se aktivitetet janë ndërmarrë për arsyen e fillimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Brigada Maqedono-Kosovare.

“Punimet në rrugën “Brigada Maqedono-Kosovare” janë pjesë e një projekti për zgjerimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, në përputhje me projektin e Qytetit të Shkupit. Në këtë kuadër, është e domosdoshme edhe heqja e një pjese të druve ekzistues, për shkak të realizimit të zgjerimit të rrugës dhe përmirësimit të sigurisë në komunikacion”, deklaruan nga Komuna e Çairit.

  • Punimet në rrugën “Brigada Maqedono-Kosovare” janë pjesë e një projekti për zgjerimin e rrugës
  • Është e domosdoshme edhe heqja e një pjese të druve ekzistues

Nga Komuna e Çairit, shtojnë se është parashikuar kompensim i plotë i gjelbërimit dhe se për çdo dru të larguar do të mbillen së paku dy dru të rinj, me qëllim ruajtjen dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra. / Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button