Presidenti amerikan, Donald Tramp thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar luftën kundër Iranit
Presidenti amerikan, Donald Tramp thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar luftën kundër Iranit
Presidenti i SHBA-së Donald Tramp tha se sulmet amerikano-izraelite virtualisht kanë shkatërruar Iranin, duke vrarë një pjesë të konsiderueshme të udhëheqjes dhe duke ia dëmtuar forcat e armatosura e programin bërthamor. Tramp megjithatë ka theksuar se nuk do të lëshojë pe për sulmet.
“Nuk duam të largohemi herët. Duhet ta përfundojmë punën. Gjatë ditëve të fundit ushtria jonë praktikisht e ka shkatërruar Iranin. Është një vend i vështirë. Forca e tyre Ajrore është zhdukur, plotësisht. Ata nuk kanë pajisje kundërajrore. Ata nuk kanë asgjë. Raketat e tyre janë ulur me 90 për qind. Dronët e tyre janë ulur me 85 për qind. Ne po i hedhim në ajër fabrikat ku prodhohen,” deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.
Ndërkohë edhe Izraeli e ka bërë të qartë se nuk është gati t’i japë fund fushatës ushtarake, përfshirë sulmet në Liban kundër forcave të Hezbollahut.
Nga ana tjetër sulmet hakmarrëse të Iranit nuk goditën vetëm bazat amerikane në rajon. Ministria e mbrojtjes e Italisë tha se një raketë goditi një bazë të saj në qytetin e Erbilit, në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut. Edhe Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan për sulme gjatë natës. Një ditë më parë presidenti iranian, ka vendosur tre kushte themelore për përfundimin e luftës. Pas bisedimeve me udhëheqësit e Rusisë dhe Pakistanit, ai tha se t’i dhënë fund luftës duhet të njihen “të drejtat legjitime” të Iranit, duhet të paguhet kompensimi dhe duhet të jepen garanci të forta ndërkombëtare për të parandaluar sulme të ardhshme.







