Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi blerjen e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi blerjen e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina

Serbia ka blerë nga Kina raketa hipersonike për avionët luftarakë. Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, Vuçiq theksoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese. Vuçiq tha se këto armatime po sillen në Beograd kundër aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

“Ajo aleancë ushtarake është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë, nuk ka asnjë arsye tjetër pse u bë ajo aleancë ushtarake. Unë nuk jam Donald Trump, Vladimir Putin, presidentë të mëdhenj që zgjidhin gjithçka me lehtësi. Nuk ka gjëra të lehta për mua dhe sigurisht që kam frikë. Unë jam një president që dëshiron që trashëgimia e tij të jetë paqja, jo lufta dhe konflikti,” deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende. Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili paralajmëroi se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

LEXO EDHE:

Back to top button