Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë projekt-rezolutën për mbështetjen e Ukrainës
Miratimi me 637 vota i kësaj rezolute që prek të gjitha aspektet politike, ekonomike, diplomatike, humanitare, ligjore, si dhe pasojat tragjike që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës, dëshmon solidaritetin dhe unitetin europian përballë rrezikut që i kanoset sot jo vetëm Ukrainës por edhe Europës dhe botës së lirë e demokratike. Përshëndes vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian edhe ndaj rajonit tonë, çka duhet të na shtojë vigjilencën ndaj çdo tentative për destabilitet nga aktorë jomiqësorë. I bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë që përmes një rezolute të shprehë qartë dhe pa vonesë vullnetin e tij kundër pushtimit të Ukrainës, ngjashëm me vendet e tjera të NATO dhe BE!”, shkruan presidenti.
Në projekt rezolutë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë: Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.








