Presidenti kazak paralajmëron tërheqjen e trupave të huaja

Presidenti kazak paralajmëron tërheqjen e trupave të huaja

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka njoftuar se trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive do të nisin të largohen nga ky shtet brenda dy ditësh.

Kjo Organizatë drejtohet nga Rusia dhe përbëhet nga disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Në një adresim televiziv para Parlamentit, Toqaev ka thënë se trupat e Organizatës do të përfundojnë misionin për 10 ditë.

Trupat e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive kanë arritur në Kazakistan javën e kaluar, pas kërkesës së udhëheqësisë kazake për ndihmë, meqë Kazakistani përballej me trazira të dhunshme.

Si pasojë e trazirave kanë vdekur të paktën 163 persona. Toqaev, i cili ka fajësuar “agresionin terrorist” për trazira dhe ka thënë se protestat kanë qenë edhe tentime për puç, ka arritur të shfrytëzojë situatën për të konsoliduar pushtetin në këtë shtet të Azisë Qendrore, të pasur me naftë dhe gaz.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit ka thënë se forcat e sigurisë kanë ndalur 9,900 persona, në lidhje me trazirat vdekjeprurëse./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button