Prokuroria Publike: Zjarri që përfshiu depon e metaleve në Vizbeg i takon kompanisë ASD Metal Gruop 

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

“Një ditë pas zjarrit në Vizbeg, zona vazhdon të dëshmojë përmasat e incidentit. Gjurmë të djegies, mbetje të shkrira dhe materiale të përfshira nga flakët janë të dukshme në çdo cep”.

Qendra për Menaxhim me Kriza ka informuar se zjarri është vënë nën kontroll. Ndërkohë në vendin e ngjarjes akoma nuk ka nisur hetimi. Sipas Prokurorisë Publike është i pamundur hetimi në këto rrethana derisa zjarri nuk është shuar dhe nuk është siguruar vendi i ngjarjes.

Për dallim nga policia, Prokuroria Publike sot na njoftoi se depo e djegur i takon kompanisë në depon e të cilës shpërtheu zjarr i përmasave edhe më të mëdha më 9 korrik të vitit kaluar, përkatësisht ASD METAL GROUP.

“Parcela ku ka ndodhur zjarri është në pronësi të të njëjtit person juridik ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, për te cilën pritet fillimi i procedurës gjyqësore”, deklaroi Prokuroria Publike.

Më 9 korrik të vitit kaluar në depon e ASD METAL GROUP në pronësi të Maja Karamanovas dhe e menaxhuar nga ish bashkëshorti i saj Aleksandar Nikollçev shpërtheu zjarri që helmoi gjithë kryeqytetin. Ekipi i Televizionit Alsat duke raportuar u pengua dhe sulmua fizikisht nga Karamanova dhe Nikollçev. Gjykata për këtë veprim i dënoi me kusht, ndërsa për zjarrin e shkaktuar hapi hetim mbi akuzën për vepra të rëndë kundër shëndetit të njerëzve.

Alsat kishte arritur të zbulon se ASD METAL GROUP ka funksionuar pa licencë aktive, ndërsa autoritetet premtuan ndërmarrjen e masave ndaj këtij subjekti. Se si ka funksionuar kjo kompani deri tani, apo ka vepruar përmes kompanive simotra, kjo mbetet të dëshmohet nga hetimi i Prokurorisë Publike./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button