Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia

Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 8 gusht, ai gjithashtu nuk ka dashur të zbulojë se për cilat organizata bëhet fjalë, duke shpjeguar se nuk dëshiron t’i bëjë të famshme duke ua përmendur “emrat e princërve nga Mesjeta”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

“Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta”, ka thënë Kurti.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.

Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, vlerësojnë se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.

Të dy ekspertët nënvizojnë gjithashtu se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është “satelit i Rusisë” dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button