Provimi i jurisprudencës, BDI kërkon të flasim për aktualitet

Gazetar: Suad Bajrami

BDI-ja kërkon që të flitet për aktualitet, derisa pyetet për çështjen e gjuhë së provimit të jurisprudencës sa ishin në pushtet. Shefja e grupit parlamentar të BDI-së Rina Ajdari në një paraqitje të fundit, tha se provimi nuk është realizuar në gjuhën shqipe në kohën e BDI-së pasi prej miratimit të Ligjit të Gjuhëve, nuk kanë pasur ministër të Drejtësisë.

Për dallim nga koordinatorja Ajdari, zyrtari tjetër i BDI-së Faton Pollozhani deklaroi se sot duhet të flitet për heshtjen e VLEN-it

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe është ky ligj i cili u mundëson studentëve që ta zbatojnë këtë të drejtë edhe në gjuhën shqipe dhe sigurisht se ky ligj, është një ligj me vëllim më të gjerë dhe në disa segmente nuk ka arritur të zbatohet, por ta kontestosh këtë të drejtë të studentëve, atë që e bën sot Qeveria, Ministria e Drejtësisë, fatkeqësisht duke e heshtur përfaqësuesit e VLEN-it, mendoj se është më tragjikja dhe për këtë duhet të flasim sot”, deklaroi Faton Pollozhani, BDI.

Megjithatë në vitet 2019-2024, prej kur është në fuqi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, BDI kishte zëvendësministër të Drejtësisë. Agim Nuhiu ishte përfaqësues i Ali Ahmetit prej gushtit të vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2023. Në bashkëqeverisjen 7-vjeçare me LSDM-në, BDI kishte edhe kryeministrin teknik, Talat Xhaferi. Nga ana tjetër, Ligji për Provimin e Jurisprudencës është shpallur në shtator të vitit 2019, 8 muaj pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Pavarësisht obligimit për harmonizim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Ligji për Provimin e Jurisprudencës është miratuar në Kuvend, edhe atë, në kohën kur në krye të saj ka qenë Talat Xhaferi.

Përpara miratimit të ligjit, BDI kishte pasur edhe gjashtë ministra të drejtësisë duke filluar nga Bilen Sali, Valdet Xhaferi, Adnan Jashari, Blerim Bexheti, Ismail Dardhishta dhe Ixhet Memeti. Në këtë detyrë, ministër ishte edhe Xhevdet Nasufi nga PDSH, ndërsa si shqetësim e kishte ngritur Krenar Lloga nga ASH i cili kishte përgatiti propozim-ligj, por i njëjti nuk u votua.

Ndërkohë që vazhdojnë përplasjet mes palëve, Ministria e Drejtësisë nuk lëshon pe, ndërsa studentët për më 6 prill kanë paralajmëruar protestë në Shkup./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button