Traseja e autostradës Trebenishtë–Qafë-Thanë ende e pa definuar, qytetarët të revoltuar
Gazetar: Miki Trajkovski
Ende nuk është definuar traseja përfundimtare nëpër të cilën duhet të kalojë autostrada nga Trebenishta deri në Qafë-Thanë, me gjatësi rreth 10 kilometra. Kjo do të përcaktohet, pasi të përfundojnë konsultimet. Kështu iu tha banorëve të disa vendbanimeve në rajonin e Strugës, të cilët morën pjesë në debatin publik konsultativ, të organizuar nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore. Nga Komuna e Strugës thanë se ekzistojnë disa variante lidhur me trasenë. Megjithatë takimi u ndërpre pasi banorët reaguan për mossigurimin e përkthimit në shqip dhe për faktin se nuk iu tregua traseja konkrete nëpër të cilën do të kalojë autostrada.
“Po, kemi dy variante. E kam pjesën grafike që është e definuar, me të dy variantet se ku do të kalojë, në cilën zonë do të kalojë. Por për momentin nuk jam i sigurt, kalon nëpër pjesën e kënetës, siç e quajmë ne dhe pak nëpër zonën industriale që vazhdon. Sa i përket kësaj pjese, cilat zona i konsideron UNESKO si të mbrojtura apo nëse ka ende sipërfaqe për të cilat nuk janë bërë analizat përkatëse – këtë duhet ta shohim për të përcaktuar se ku është problemi. Konkretisht, cila është pengesa e saktë, për momentin nuk kemi informacione”, deklaroi Resul Hani, Sektori për urbanizëm, Komuna e Strugës.
“Ajo që na intereson ne dhe që është përmendur disa herë edhe në UNESCO, është që të shqyrtohen të gjitha aspektet pozitive dhe negative të ndërtimit të trasesë së autostradës A2. Nuk bëhet fjalë vetëm nëse do të rrezikohet ndonjë lokalitet arkeologjik, ndonjë objekt fetar apo varreza, por edhe mënyra e jetesës dhe mënyra e funksionimit të popullsisë”, tha Zoran Pavllov – Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Qytetarët shprehen të revoltuar, pasi thonë se nuk kanë informacione të mjaftueshme se çfarë do të ndodhë me këtë autostradë.
“Gjithçka që ndërtohet është mirë. A duhet të ketë autostradë nga Trebenishta deri në Qafë Thanë? Duhet”, tha një qytetar.
“Ndërtimi i kësaj autostrade ka një urgjencë të madhe. Kjo autostradë do të ofrojë një mundësi të re zhvillimi për Strugën. Mosndërtimi i saj mund të interpretohet edhe si një pengesë ose disavantazh për këtë qytet”, tha një qytetar tjetër.
Ndërkohë struganët, me transparentë të vendosur në tre urat e qytetit, në të cilat shkruhej “Heshtja e imponuar nuk do të thotë pajtim”, “Vendime politike – pasoja për një qytet të tërë” dhe “Pa Strugën nuk ka korridor, mos e lini Strugën jashtë”, shprehën revoltën e tyre./ Alsat.mk.








