Punëtorët e Ndërmarrjes Komunale në Tetovë presin zgjidhjen e çështjes së pagave, autoritetet premtojnë zgjidhje në qershor

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Në mbledhjen e ardhshme të këshillit të Komunës së Tetovës do të ndahet buxhet për mbulimin e pagesa të sigurimit shëndetësor për punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale të Tetovës. Fondet do t’i ndajë komuna kurse parashikohet që punëtorve t’u jepen edhe pagat e prapambetura.

“Në këtë seancë të këshillit është paraparë që të mbulohen humbjet e NPK-së. Vlen të theksohet se gjysma e kontributeve të punëtorëve të NPK-së është mbuluar, dhe tani do paguhet edhe gjysma tjetër si dhe do paguhen gjitha pagat në rregull. Në bazë të planit të paraparë, gjatë muajit qershor i gjithë ky proces do jetë i realizuar”, deklaroi Albion Alili, Zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, kanë rreth 15 muaj kontribute të pa paguara dhe tre muaj rroga të pa paguara. Sipas Drejtorit të NPK-së Samet Bislimi, kjo ndodh shkaku i përqindjes së vogël të pagesës nga ana e qytetarëve, si dhe borxhit të akumuluar prej dy dekadash në ndërmarrje.

“Kanë ngelur foliot e 2024, ku vetëm kontributet dhe sigurimi shëndetësor pensional është pa paguar dhe shifra për afrohet afro 30 milion denarë dhe po punojmë që këtë muaj t’i realizojmë. Jemi duke përgatitur rrogën e muajit shkurt tani, por e dini se jemi të bllokuar dhe punojmë me limit”, tha Samet Bislimi. Drejtor i NPK “Tetova”.

Deri tek vonesa e pagesave ndaj punëtorëve të ndërmarrjes, ka ardhur si pasojë e borxhit të akumuluar prej më shumë se dy dekadash e që arrin vlerën prej disa miliona euro./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button