Në vend ka mungesë të akushereve, gjë që vështirëson funksionimin pa pengesa

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Mungesa e akushereve në vend po bëhet gjithnjë e më serioze. Si pasojë, një akushere kujdeset deri në tre herë më shumë lindje sesa standardi i rekomanduar. Orët e gjata të punës dhe presioni i vazhdueshëm sjellin lodhje të madhe psikike, për shkak të përgjegjësisë së lartë ndaj nënës dhe foshnjës. Puna e tyre vazhdon të mos vlerësohet sa duhet në sistemin shëndetësor, ndërsa arsimi për akusheri duhet të ngrihet në nivel të arsimit të lartë, në përputhje me standardet evropiane.

“Çdo ditë në vendim e punës sfida më e madhe është mungesa e kuadrit, pra kjo është problematika më e madhe, jo vetëm tek ne. Tema këtë vit në konferencën ndërkombëtare për akusheret është e përqendruar pikërisht në mungesën e infermierëve dhe akusherëve në botë. Sipas tyre, në botë mungojnë rreth 1 milionë akushere. Njësoj është edhe në shtetin tonë, jo vetëm në repartin tonë në kujdesin intensiv për të porsalindurit por edhe në sallën e lindjes. Nëse shihen statistikat një akushere udhëheq tre herë më shumë lindje normale nga ajo që është sipas standardeve evropiane”, deklaroi Tanja Trajkovska, akushere.

Për akusheret, momenti më i vështirë është humbja e një foshnje, ndërsa më i bukuri kur përfundon shëndoshë në duart e prindërve.

“Momenti më i vështirë për secilën prej neve është kur humb jetën një foshnje ose kur i përkeqësohet gjendja shëndetësore. Ndërsa momenti më i bukur kur dikush në javën e 24 apo 25 të shtatzënisë përfundon në duart e prindërve”, theksoi Tanja Trajkovska, akushere.

Edhe pse interesimi i të rinjve për akusheri është i madh, me mbi 1500 regjistrime, mundësitë për punësim mbeten të pakta. Sipas akushereve, të rinjtë duhet të motivohen me vende pune të sigurta. Roli i tyre nis gjatë shtatzënisë dhe vazhdon gjatë lindjes, duke u kujdesur për nënën dhe foshnjën./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button