Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Ka filluar të ndërtohet që prej muajsh, dhe deri më tani, ka mbetur në këtë gjendje që është. Punimet thuhet që po zhvillohen ndërsa në terren situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Por jo vetëm në këtë rrugë, edhe në qytetin e Tetovës në rrugën Shtipska, po ndodh e njëjta gjë”.
Banorët në Rrugën e Shtipit në Tetovë dhe në Xhepçisht thonë se punime ka, por ato kryhen me vetëm dy punëtorë në ditë.
“Unë i shoh këtu nga dy veta punojnë. Unë jam shofer autobusi në Gjermani ama atje kur bllokohet rruga dhe bëhet shpejtë, ama këtu me dy punëtor dhe një ekskavator se di si do bëhet rruga”, tha një banor.
“Rruga para zgjedhjeve ka nisur. Dhe si filloi dimri u ndalën punimet. Tash kanë nisur të punojnë. Duhet të bëhet ma shpejtë por është projekt i madh ky, sa do zgjas nuk e dimë por mendojmë që do bëhet”, thotë një banor tjetër.
“Goxha kohë është kështu, goxha. Kanë probleme banorët ka pasur pluhur baltë”, tha banori.
Nga komuna e Tetovës thonë se, presin kyçjen e banorëve në kanalizim dhe rregullim të rrjetit të energjisë me qëllim që të nis asfaltimi.
“Tek rruga në Xhepçisht janë duke përfunduar kyçjet nga banorët për ujësjellësin e kanalizimin dhe anësorët në rrugë me përfundimin e punëve do fillojë asfaltimi i rrugës, ndërsa në rrugën e Shtipit, janë bërë disa dislokime të shtyllave nga EVN dhe po bëhen kyçjet e fundit. Në momentin që do përfundojnë këto punë do fillojë asfaltimi”, deklaroi Besarta Ramadani, Zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Në gjendje të këtillë janë edhe rruga “28 Nëntori” dhe rruga në lagjen Dereboj, që me muaj presin asfaltim./Alsat.mk.








