Punonjësit e parkut zoologjik në Greqi vrasin shimpanzen, qytetarët paralajmërojnë protesta

Punonjësit e parkut zoologjik në Greqi vrasin shimpanzen, qytetarët paralajmërojnë protesta

Reagime të fuqishme në rrjetet sociale ka shkaktuar ngjarja e ndodhur mëngjesin e së shtunës në Parkun Zoologjik të Atikës ku punonjësit e tij kanë vrarë një shimpanze që ka mundur të dalë përtej mureve të parkut duke rrezikuar vizitorët.

Bëhet fjalë për më të madhin nga 9 shimpanzetë e Parkut Zoologjik të Atikës, me moshë 27 vjeç dhe rreth 1.60 metra i lartë. Ai arriti të kalonte telat mbrojtës të tensionit të lartë të energjisë elektrike dhe hendekun me ujë dhe ka dalë nga parku.

Të paktën 20 persona nga stafi i parkut janë mobilizuar menjëherë në përpjekje për ta kapur, ndërsa shimpanzeja ishte ngjitur në një shtyllë të lartë tre metra. Gjithashtu është dhënë urdhër nga altoparlantët që gjithë vizitorët që ndodheshin në atë moment në parking, të futeshin në makina dhe të qëndronin brenda tyre.

Përfundimisht, rojat nuk kanë mundur ta kapin shimpanzenë dhe u mor vendimi për ta vrarë. Një prej zyrtarëve të Parkut Zoologjik të Atikës, Jean-Jacques Lesouard, ka shpjeguar se nuk mund t’i injektonin anestezi, pasi për shkak të gjendjes do të duheshin 15 minuta që të vepronte ilaçi, kohë kur kafsha mund të sulmonte dikë prej vizitorëve.

Por në rrjetet sociale, askush nuk është pajtuar me vrasjen e majmunit, duke komentuar se këto kafshë jo vetëm që mbahen të mbyllura ,por edhe se kur përpiqen të fitojnë lirinë, i vrasin. Madje është bërë thirrje për një miting proteste mbrëmjen e së dielës ,ku do të kërkohet edhe mbyllja e parqeve zoologjike.

LEXO EDHE:

Back to top button