Putini anulon vizitën në Serbi

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk do të vizitojë Beogradin në tetor, siç u njoftua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në disa raste muajve të fundit, raporton Danas duke iu referuar përfaqësuesve pranë qarqeve diplomatike.

Burimet e gazetës serbe thonë se Kremlini nuk zbuloi arsyen e anulimit të vizitës së planifikuar, por ata theksojnë se “rusët nuk e pëlqejnë afrimin e Serbisë me Shtetet e Bashkuara në fushën e politikës së jashtme, e cila ishte veçanërisht e dukshme gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës”.

“Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shënon një tjetër pikë kthese në trendin ‘konstant’ të humbjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan, e cila po e irriton Kremlinin. Partneri më i afërt i Rusisë në Ballkan, Serbia, po zgjidh mosmarrëveshjen rreth Kosovës pa pjesëmarrjen ruse në negociata dhe po i afrohet SHBA-së, ndikimi i së cilës po rritet në kurriz të Rusisë. Duke postuar një post fyes në Twitter, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ndoshta besonte se ajo po shprehte dëshirën e “zotërinjve të saj politikë” për të dënuar Serbinë për pabesi. Por Putin shpejt kërkoi falje për ‘cicërimën’ e Zakharova, ndërsa ministri i Jashtëm Sergei Lavrov mbështeti marrëveshjen e Uashingtonit dhe perspektivën e arritjes së një marrëveshje Serbi-Kosovë, andaj Rusia do të përpiqet të ruajë marrëdhëniet e mira me Serbinë, megjithëse vërehet forcimi i ndikimit të SHBA-së në Serbi,” thanë burime nga qarqe diplomatike për Danas.

Vuçiq në qershor kishte marrë konfirmimin nga Putin se ky i fundit do të vizitojë Serbinë më 20 tetor./Kosovapress/

LEXO EDHE:

Back to top button