Qeveria dhe opozita e interpretojnë ndryshe ligjin e Qeverisë për kryeministrin Teknik

Qeveria dhe opozita e interpretojnë ndryshe ligjin e Qeverisë për kryeministrin Teknik

Gazetar: Lluka Andreev

Qeveria dhe opozita e interpretojnë ndryshe Ligjin për Qeverinë, në dispozitën për emërimin e një kryeministri teknik. Dilema u ngrit nga deputeti i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev. Ai shkroi në rrjetet sociale se Kryeministri Kovaçevski i lexon në mënyrë selektive ligjet. Sipas tij, qeveria injoron nenin që përcakton se “njëqind ditë para zgjedhjeve… do të zgjidhet një qeveri kalimtare për të kryer zgjedhjet e deputetëve, të udhëhequr nga një kryertar i ri i qeverisë i emëruar nga partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend”. Në këtë rast, aludohet se propozimi për kryeministër teknik duhet të vijë nga VMRO-DPMNE, sepse ka më shumë deputetë në Kuvend. Megjithatë, kryeministri Kovaçevski thotë se ligji nuk po shkelet, sepse koalicioni qeverisës i LSDM-së dhe BDI-së ka numrin më të madh të deputetëve. Kështu, Talat Xhaferi mbetet propozimi për kryeministër të ri teknik.

 “Ligji nuk shkelet, sepse qeveria e sotme dhe ajo e mëparshme është një qeveri koalicioni, dhe nëse shikoni mandatin e dhënë nga presidenti i vendit, ai ia jep një koalicioni që ka të paktën 61 deputetë në Kuvend. Kështu u jepet mandati atyre që kanë 61 deputetë, kështu që nuk shkelet asgjë,” tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

VMRO-DPMNE do të marrë vendimin për të marrë pjesë në qeverinë teknike javën e ardhshme. Megjithatë, dje, deputeti Antonio Milososki tha në një fjalim televiziv se është më mirë që partia të marrë pjesë në këtë qeveri, sepse ajo ka një shans për të zvogëluar, siç tha ai, mashtrimet e zyrtarëve qeveritarë. Sot, partia opozitare paralajmëroi se qeveria po përgatiste një blerje masive, dhe përmes ndihmës së shpallur donte të blinte vota.

“Ndihma që Kovaçevski njoftoi për kompanitë dhe qytetarët nuk është gjë tjetër veçse një ryshfet për zgjedhjet. Kovaçevski luan kartën e kujtesës së shkurtër, dhe mendon se populli ka harruar 7 vitet e fundit, por ai gabon. Ryshfeti që Kovaçevski është gati të bëjë dhe të vjedhë vullnetin zgjedhor nuk do të kalojë,” – VMRO-DPMNE.

 BDI ka konfirmuar emrin e Xhaferit si kandidat për kryeministër. Nënkryetari i partisë, Bujar Osmani, gjithashtu hodhi poshtë raportet e mediave se nuk do të kishte vend për Artan Grubin në qeverinë teknike, pra se pozita e “zëvendëskryeministrit të parë” do t ‘i jepej LSDM-së.

“Këto pohime janë të rreme, të pabaza dhe si të tilla dëmtojnë dukshëm besimin e qytetarëve te këto media. Talat Xhaferi do të emërohet kryeministër dhe nuk do të ketë ndryshime të tjera në resorët që drejtohen nga kuadrot e BDI-së,” DEKLAROI Bujar Osmani – Nënkryetar i BDI-së.

Pasardhësi i Xhaferit, në vendin e kryetarit të parlamentit pritet të jetë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Siç tha dje Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ekziston një mundësi e madhe që Mitreski të mbajë presidencën edhe për disa ditë ose javë, sepse ekziston mundësia që kreu i ardhshëm i shtetit të mos inaugurohet deri më 12 maj. Në këtë rast, funksioni merret nga Kryetari i Kuvendit. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, së bashku me ato parlamentare, do të mbahet më 8 maj, pasuar nga një afat tre-ditor për ankesat për parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button