Partitë s’konfirmojnë kandidatët për president

Partitë s'konfirmojnë kandidatët për president

Gazetare: Fatlume Dervishi

Është gjithmonë e më e sigurt se Presidenti Stevo Pendarovski do të jetë kandidat edhe për një mandat tjetër. Ai në emisionin 360 gradë nuk komentoi garën brenda LSDM-së duke thënë se nuk është anëtar i partisë. Emrat më të përfolur për kandidat të ashtuquajtur konsensual, i nominuar nga LSDM-ja por i mbështetur edhe nga parti e tjera, përfshirë edhe BDI-në, janë Pendarovski dhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski.

“Nëse më pyesni sot që është dhjetor, shanset që të kandidohem janë më të mëdha se sa që të mos kandidohem, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Keni konkurrencë në LSDM?

Nuk mund ta komentoj këtë pjesë sepse bëhet fjalë për procedurë brendapartiake dhe gjithsesi procedurë që bëhet Brenda asaj partie politike ku unë nuk jam anëtar. Është e pahijshme për mua të them keni ose nuk keni kandidatë të të denjë.”

Nga LSDM-ja nuk e kanë konfirmuar akoma kandidatin dhe këtë gjë nuk e ka bërë as VMRO-DPMNE-ja për kandidatin e tyre. Jozyrtarisht, anketat vendosin në krye të listës Gordana Siljanovskën Davkovën, e cila ishte kandidate përballë Pendarovskit edhe në zgjedhjet e kaluara.

Ndërkohë opozita shqiptare akoma bën vlerësimet e saja për kandidatin që duan të propozojnë.

“Është çështje që ende zien ose debatohet brenda strukturave partiake dhe besoj se në kohën e duhur, në një kohë të arsyeshme do të jeni të informuar rreth vendimeve që i ka koalicioni,” tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa, Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button