Qeveria s’ka zgjidhje për vetdeklarimet e rreme për punësime

Qeveria për momentin nuk ka ide konkrete se si mund ta zgjidhë problemin me vetëdeklarimin e rrejshëm të maqedonasve si shqiptarë, në konkurset për punësimin e shqiptarëve. Zv/kryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe menaxhimin e resurseve njerëzore thotë se do të gjenden mënyra që ky problem do të zgjidhet por kërkon durim.

 “Ky nuk është problem prej sot ose dje. E thatë vetë që përcaktimi i secilit është e drejtë kushtetuese. Sigurisht, në kuadër të ligjit për nëpunës administrativ dhe ndryshimeve që do të bëhen në periudhën e ardhshme dhe janë pjesë e programit të Qeverisë, do të gjejmë mënyra sistematike se si t’i zgjidhim këto çështje. Nuk mundemi sot të gjejmë zgjidhje. Kemi mandat katërvjeçar në të cilin jemi angazhuar për zbatimin e të gjitha politikave. Durim dhe me ngadalë, punët një nga një- deklaroiu Lupço Nikollovski, zv/kryeministër.

Alsat kërkoi qëndrim nga BDI si parti shqiptare në pushtet por nuk morëm përgjigje.

Koalicioni shqiptar në opozitë ASH-AAA thonë se me këto probleme dëmtohen shqiptarët. Sipas tyre, kjo dëshmon kapacitet të dobët politik të partisë në pushtet BDI, për t’i dhënë fund këtij problemi.  

 “Këtë e vlerësojmë thjeshtë si një manipulim i cili godet mbi realitetin etnik dhe është një diskriminim klasik me ç’rast u pamundësohet shqiptarëve që të punësohen në institucionet shtetërore, bëhet keqpërdorim i balancuesit. Nuk është hera e parë që ka ndodhur. Ne e kemi denoncuar si rast kohë më parë. Ka ndodhur edhe në klinikën për sëmundje të specializuara të pediatrisë. Kjo ndodh në Inspektoratin e Bujqësisë. Kjo është e patolerueshme dhe ndodh në mungesë të një ligji i cili do të ishte për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione- pohoi Flakron Bexheti, ASH-AAA.

Alsat një ditë më parë publikoi listën e dhjetëra të punësuarve së fundmi në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë, të cilët kanë emra maqedonas por gjatë konkursit për punësim janë vetëdeklaruar si shqiptar. Në këtë mënyrë ata manipulojnë sistemin për punësim dhe balancuesin për përfaqësim të drejtë etnik. Punësimi i maqedonasve por të vetëdeklaruar si shqiptarë, rrit rrejshëm përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button