Qortimet e aleatëve, Kurti “zbutet pak” nga vendimi për dinarin

Qortimet e aleatëve, Kurti “zbutet pak” nga vendimi për dinarin

Pas thirrjeve të shumta të aleatëve ndërkombëtarë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ritheksuar edhe sot se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj, shkruan Reporteri.net.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti në një postim të bërë në platformën “X” sot.

E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.

Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.

“Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”, thuhet tutje.

BQK-ja tha se njofton opinionin publik lidhur me planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.

 

 

“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Ditë më parë, ambasadori gjerman, Jorn Rohde kërkoi që Kosova ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së  për katër muaj, njëjtë sikur kishte ndodhur me kampanjën për liberalizimin e vizave.

Rohde ka thënë se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur dhe se kjo është ajo çfarë duhet bërë tani.

Të enjten e 8 shkurtit, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier përsëriti se kërkesa e ShBA-së është që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores, derisa të vendosen procedura të kënaqshme dhe në përputhje me standardet evropiane.

LEXO EDHE:

Back to top button