Qyteti i Shkupit: Transportuesit privatë do të kthehen në qarkullim së shpejti

Qyteti i Shkupit: Transportuesit privatë do të kthehen në qarkullim së shpejti

Gazetare: Evi Shkopi

Stacionet e autobusëve për qarkullim publik në kryeqytet edhe sot ashtu si 8 muajt e fundit ishin përplot me qytetarë.

“Ky është autobusi me numër 20. Qytetarët thanë se kishin më shumë se një orë e gjysmë që po prisnin për të njëjtin. Duke qenë se tashmë 8 muaj ky problem nuk është zgjidhur nga institucionet, ata janë të revoltuar se si askush nuk shqetësohet që nuk po arrijnë në kohë të kryejnë angazhimet e tyre ditore”, raporton Evi Shkopi, gazetare.

Disa prisnin 30 minuta, e disa të tjerë një orë apo një orë e gjysmë, sepse autobusët e linjës së tyre kalojnë shumë rrallë dhe janë përplot me pasagjerë që kur transportuesit privat u shkyçën nga transporti publik.

“Sa të duash. Ndonjëherë gjysmë orë, ndonjëherë një orë, mos pyet. Më autobusin 19 dhe 20 udhëtoj. Për këto ndonjëherë duhet të presim me orë. Unë jam pensionist, s’ka problem për mua, por çfarë t’u bëj nipave dhe mbesave që po vonohen për në shkollë shumë shpesh. Ose duhet të dalin një orë dy orë më herët. Të paguajmë taxi s’kemi, të ecim në këmbë s’mundemi”.

“Mbrëmë kemi pritur më shumë se një orë, 01:30 sepse s’ka pasur autobus”.

“Si nuk kam pritur”.
Sa ke pritur?
“Që kur janë ndalur këto privatët ne presim”.

“Po ja pothuajse gjysmë orë. Ka ndodhur, shpesh ka ndodhur të presim. Pengon, si nuk pengon, nuk ka autobus. Unë nuk kam ndonjë angazhim, por humbasim kohë, ana me angazhime më shumë”.

Nga Qyteti i Shkupit në një përgjigje me shkrim, thonë se transportuesit privatë duhet të kyçen në transportin publik në kryeqytet deri në fund të javës ose më së voni gjatë javës tjetër.

“Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, i ka nënshkruar vendimet pas konkursit për ndarjen e linjave për kyçje të transportuesve privat në transportin publik të qytetit dhe pritet që transportuesit privatë këtë javë të nisin me qarkullim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkohë ende nuk ka asnjë përgjigje nëse kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski do të thërrasë apo jo seancë për të diskutuar për gjendjen financiare të Qytetit të Shkupit dhe çështje të tjera problematike që janë shfaqur muajt e fundit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button