Radev: Nuk mund të bëhet kompromis për historinë dhe identitetin

“Është koha për zgjidhje politike mes Shkupit e Sofjes, por s’mund të bëhen kompromise për historinë dhe identitetin” është i prerë Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, derisa dy vendet po e presin nga Komisioni i përbashkët i ekspertëve rezultatin e takimit dyditor në Shkup.

Anëtarët e Komisionit maqedonas-bullgar janë profesionistë, ashtu si deri tani, do ta kërkojnë dhe mbrojnë të vërtetën historike dhe interesin kombëtar të Bullgarisë. Porosia ime për ta është që politikanët nuk duhet ta dështojnë këtë proces të rëndësishëm për Bullgarinë, Maqedoninë dhe BE-në. Është koha e fundit të gjendet zgjidhje politike që do t’i konfirmojë të gjitha parimet e respektimit të historisë, fqinjësisë së mirë dhe identitetit tonë. Gjithmonë ka hapësirë për kompromise, por ato nuk mund të bëhen me historinë, identitetin, gjuhën ose me kërkesat e pakicave kombëtare – deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Kryeministri, Zaev është optimist se do të tejkalohen dallimet rreth Goce Dellçevit dhe se ka kohë të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjeve të tjera politike, që burojnë nga memorandumi bullgar.

Nuk dua të flas për plan B. Besoj se do të kemi sukses. Kur të vijë ajo kohë, do ta jap përgjigjen. E kemi patjetër të kemi sukses! Kemi arritur suksese edhe më të mëdha: e rrumbullakuam pjesën formale të Marrëveshjes së Ohrit, arritëm marrëveshje me Bullgarinë e me Greqinë. Tani vjen në shprehje kapitulli i katërt i historisë, figura e gjashtë historike. Besoj se do të tejkalohet edhe kjo. Po të mos ishte Goce, do të na duhej ta trillonim, që të na shërbente si urë miqësie mes dy vendeve -u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Opozita maqedonase përsërit qëndrimin se do të ishte dështim për Qeverinë Zaev nëse Bullgaria bllokon fillimin e negociatave me BE-në, në fund të vitit. VMRO-DPMNE-ja akuzon Zaevin se kishte gënjyer kohë më parë, kur kishte deklaruar se i ka zgjidhur të gjitha çështjet në planin e jashtëm.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button