fbpx

Radhë dhe pritje me orë të tëra para bankave


Pritje me orë të tëra, grindje mes qytetarëve dhe mosrespektim të masave mbrojtëse. Kjo është pamja para bankave sot. Më shumë se 100 mijë qytetarë, ish klientë të bankës së falimentuar “Eurostandard” garojnë me kohën. Kërkojnë zgjidhje në bankë tjetër, në mënyrë që të hapin llogari të reja në kohë dhe t’i marrin pensionet, rrogat apo ndihmën sociale. Në anën tjetër, pas bllokimit të qarkullimit pagesor të Postës së Maqedonisë që e bënte  “Eurostandard”, qytetarët kanë vendosur faturat t’i paguajnë në bankë, që gjithashtu ka shkaktuar rrëmujë. Shumë persona të moshuar edhe më tej nuk përdorin pagesa përmes internetit.

“Te ne bëhen punët kështu, pritet në momentin e fundit, në minutën e fundit. Njëqind mijë po transferohen në banka tjera, normalisht do të jetë përplot njerëz, të gjithë nxitojnë për ta marrë pensionin”.

“Isha në disa vende andej- këndej, më pas në gjykatë, tani duhet të paguaj fletëpagesë. Pse fletëpagesë? “Më duhet për kujdestar, kemi probleme, dokumentet duhet të bëhen që të marrë kartelë në bankë”.

“Kam pritur gjysmë ore për të tërhequr para. A ka rrëmujë tani? Varet nga vendi”.

Problemi më i madh është me qytetarët që nuk mund të shkojnë fizikisht në bankë kurse pensioni ose asistenca sociale nga muaji tjetër nuk do t’u arrijë në adresën e tyre të shtëpisë. Qeveria angazhoi Asociacionin e Bankave të Maqedonisë të përgatisë autorizim, por i njëjti ende nuk është dorëzuar deri te bankat. Qytetarët vetë gjejnë zgjidhje nëpër labirintet e institucioneve për grumbullimin e dokumenteve të nevojshme.

Andrea Çobanova

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button