Takim në Qeveri, nxënësit shpalosin kërkesat


Paralajmërimet për protestë ose bojkot të mësimit për nxënësit e shkollave të mesme e detyruan Qeverinë që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme. Kryeministri Spasovski, zëvendëskryeministrja Carovska dhe ministrat e Arsimit dhe të Shëndetësisë, Ademi dhe Filipçe, e pranuan sugjerimin e përfaqësuesve të UNSHM-së për përfshirjen e tyre në përgatitjet  për organizimin dhe zbatimin e modelit të pranuar për t’u arritur zgjidhjet më të mira në interes të nxënësve dhe mësimdhënësve. Filipçe ka ftuar nxënësit e shkollave të mesme të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, në të cilin më hollësisht do të njoftohen me gjendjen me COVID-19, por edhe me masat për mbrojtje nga infektimi që janë në interes të mbrojtjes së shëndetit publik.

Kryetari i Unionit, Blendi Hodai tha se qëndrimi i tyre vazhdon të mbetet i njëjtë, përkatësisht viti i ri shkollor të fillojë me mësim të kombinuar dhe jo vetëm online.

 “Protestat ne ua kemi paralajmëruar jo si kërcënim por si një metodë që nuk mund të evitohet. Nëse Unioni i Nxënësve nuk do të bëj protesta, protestat do të vijnë nga nxënësit e tjerë. Propozimi i tyre dhe ministrit Filipçe ishte që nuk duhet të rrezikohet shëndeti i nxënësve dhe i qytetarëve por është shumë kontradiktore vendimi i tyre për mësim nga distanca për shkak se nëse unë do ta kryej mësimin nga distanca pastaj mund të shkoj në kafe, I njëjti efekt është, nuk ka ndonjë efekt që do ta parandaloj rritjen e virusit në popullatë- deklaroi Blendi Hodai, kryetar I UNSHM-së

 Një ditë më parë, Hodai paralajmëroi se nxënësit e shkollave të mesme do të zgjedhin bojkotimin e mësimit ose protestën si formë për të shprehur revoltën e tyre ndaj vendimit të autoriteteve për mësim online. Sipas UNSHM-së mendimet dhe kërkesat e kategorive më të prekura nga ky vendim, nuk janë marrë parasysh. Në fillim të muajit qershor, UNSHM-ja dorëzoi në Ministrinë e Arsimit një sërë vërejtjesh për problemet e ndryshme me të cilat u përballen nxënësit gjatë realizimit të mësimit nga distanca. Gjithashtu, nga UNSHM-ja kishin kërkuar krijimin e një platforme të përbashkët, pajisjen e nxënësve nga kategoria sociale me internet dhe pajisje elektronike si dhe investime në institucionet arsimore.

Melihate Rustemi                         

LEXO EDHE:

Back to top button