Radhë të gjata para sporteleve të MPB-së për dokumentet personale

Golgota e pritjes para dyerve të administratës policore nuk ka të ndaluar. Turma njerëzve që kanë termin dhe e atyre që janë pa termin ka bërë që pritjet të jenë më shumë se tre orë para sporteleve. Disa presin në radhë edhe me fëmijë të vegjël, ndërsa prioriteti nuk vlen edhe për ata që kanë lëshuar dokumentet me procedurë të shpejtë.

  “Nuk është në rregull dhe se asnjëherë nuk ka qenë kështu, ja kam pritur 5 orë. Nuk kam pritur momentin e fundit, ka një muaj që nuk më jepnin termin dhe sërish tani jemi fajtor ne për turmën.”

  “Dy orë kam pritur në 12 kisha termin, tani mbarova me punë. Kur ju thane se mund ta merrni? Pas 10 ditëve të punës. A është në rregull kjo pritje? Jo, nuk është por s’ kemi çfarë të bëjmë duhet të presim.”

  “Nuk e di, a nuk kemi lehtësim që të vazhdojnë pasaportat e vjetër dhe mendoj se nga ajo do të relaksohet situata. Më mirë të bëjmë terminë nga shtatori kur të mbarojnë pushimet e mergimtarëve.”

 Nga Ministria e Brendshme thonë se ekzemplarët me emrin e ri kushtetues kanë arritur dhe që nga 1 korriku fillon dhënia e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë shoferëve me emrin “Maqedonia e Veriut”. Meqenëse vet Ministri Spasovski ditë më parë e pranoi që ne këtë resor ka pasur keq menaxhim arsye e cila solli edhe radhë të gjata të pritjeve, nga sektori për informim i MPB-së thonë se qytetarët kanë lënë në momentin e fundit nxjerrjen e dokumenteve në prag të sezonit veror kur edhe fillojnë pushimet.

  “Kishim periudha të caktuara me turma njerëzish sepse ka pasur termine të caktuara për këto ditë, por dje e sot erdhën qytetarë të mëhershëm. Nuk ka nevojë të krijohen turma, ata që nuk shfrytëzuan terminët të enjten dhe të premten, në çfarëdo kohe mund të vijnë edhe pasdite sepse punojmë me orar të zgjatur edhe në ndërrimin e dytë deri më ora 21 si dhe gjatë fundjavave.”

 Me ndryshimin e Ligjit për dokumente të udhëtimit nga 1 korriku do të vazhdojnë të vlejnë deri më 31 dhjetor edhe pasaportat të cilëve u skadon afati. Megjithëse nga Ministria e Jashtme janë njoftuar të gjitha vendet partnere se pasaportat e shtetasve tanë do të vlejnë për 6 muaj edhe pa afat, megjithatë autoritet nuk marrin përgjegjësinë nëse të gjitha shtetet do të lejojnë hyrjen e shtetasve tanë në vendet e tyre me dokumente personale të skaduara. Autoritetet sugjerojnë se pasaportën e skaduar të lënë si opsionin e fundit në rast se marrin rrugë jashtë shteteve më të largëta se të rajonit, meqë disa shtete kanë regjime të ndryshëm vizash dhe afatesh.

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button