Rama: Ballkani i Hapur nuk do të ndalet

Rama: Ballkani i Hapur nuk do të ndalet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sonte se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot. Ky reagim erdhi pas deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit malazez Milo Gjukanoviq, që u shprehën kundër që të dy vendet respektive të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Rama shkroi në Twitter se Ballkani i Hapur nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit.
“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkroi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët të presidentëve Osmani dhe Gjukanoviq sërish u kundërshtua Ballkani i Hapur.

“Ne si Kosovë vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e njëjtë se bashkëpunimin rajonal e shohim si kyç, por atë do të zhvillojmë në kuadër të iniciativave tashmë ekzistuese, ku Kosova është anëtare dhe veçanti Procesit e Berlinit”, deklaroi Osmani.

“Ne mendojmë që ‘Open Ballkan’ është një iniciativë e cila ka rrjedhur në një moment lloj depresioni që i ka kapluar vendet e rajonit dhe kanë menduar që ishte i pamundur integrimi evropian dhe se ndoshta me shkuarjen e kancelarës Merkel, integrimi evropian për Ballkanin Perëndimor është duke u shuar. Por kjo nuk është e saktë dhe kjo që po ndodh ka krijuar një moment të mirë për integrimin e mëtejshëm për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi presidenti GJukanoviq.

Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “mini-Schengen”, u themelua në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u takuan në Novi Sad, ku nënshkruan një deklaratë me qëllim themelimin e ‘mini-Schengen-it” mes tri vendeve.

Ideja ishte që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të fillojë të funksionojë mbi katër liritë kryesore të Bashkimit Evropian – lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Që atëherë janë mbajtur disa takime të përfaqësuesve më të lartë të tre shteteve dhe janë nënshkruar edhe disa marrëveshje.

LEXO EDHE:

Back to top button