Rastet aktive, peng i vendimeve për izolim

Mungesa e vendimeve për izolim për shkak të diagnostikimit me COVID-19, shkakton kokëçarje të shumta për qytetarët, të cilët nuk kanë se si ta arsyetojnë mungesën e tyre në punë. Shpesh herë ata përballen edhe me shkurtim të pagës. Autoritetet numrin jo-real të rasteve aktive e arsyetojnë me të dhënat e gabuara që i japin pacientët.

“Nëse rastësisht jam pozitiv, çfarë të bëjmë? Jemi pesë anëtarë në familje, të gjithë punojmë në privat. Deri më tash isha në pushim të thjeshtë mjekësor, tani sërish do të më shkurtojnë rrogën…”.

Ka tri javë që pret të bëjë një test. Meqë mjeku amë vazhdimisht i thotë se nuk ka termin, tani erdhi te Instituti që ta paguaj privatisht. Thotë se i ka të gjitha simptomat e virusit korona dhe është detyruar të paguaj terapi nga xhepi i saj. Meqë nuk është diagnostikuar me COVID-19 nuk ka marr as vendim për izolim. Kjo i ka shkaktuar telashe në punë, pasiqë i është përgjysmuar paga.

Jam edhe dhuruese e gjakut që kam dhënë mbi 15 gjak duke shpëtuar aq shumë jetë dhe tani të mos ketë termin për mua? Vërtetë e kam vështirë! Kam dhënë 5 mijë denarë për vitamina, ndërsa punoj në fabrikë. Aq, nuk mund të flas më shumë – u shpreh Irena Talifrovska, paciente.

Reagime të shumta pas vërtetimit të redaksisë sonë se numri i rasteve aktive nuk është i saktë, kanë shfaqur skandalin me të punësuarit në privat, të cilët nuk arrijnë të marrin një vendim për izolim. Kush mbanë përgjegjësi për këtë? Pyetjen e njëjtë iu parashtruam si Drejtoreshës së Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor Irina Buhova, ashtu edhe Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ka mundësi të ekzistojnë persona të caktuar pozitiv që nuk kanë marrë vendime nga këto arsye: përderisa të dhënat personale që i ka lënë gjatë testimit kanë qenë të gabuara si numri i telefonit ose e-mail adresa atëherë normalisht se do të pres dhe nuk do të merr vendim. ISHSSH i jep vendimet sipas të dhënave që vetë pacienti që testohet i lë në laboratorët që i bëjnë testimet – deklaroi Irina Sotirova-Buhova, Drejtoreshë e Inspektoratit SH.S.SH.

Jo, shikoni, mund të them se që nga fillimi i menaxhimit të krizës absolutisht të gjitha të dhënat, të gjitha informacionet, të gjitha rastet aktive, të vdekurit, të hospitalizuarit i tregojmë publikisht dhe në mënyrë transparente. Ai që është parametri me shumë rëndësi dhe një nga arsyet për të cilën nuk duhet askush të ketë dyshime është numri përafërsisht konstant i hospitalizuarve në raport me rastet aktive. Kjo shifër lëvizë ndërmjet 7-10% dhe kështu ishte që nga fillimi i krizës së pandemisë – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i rasteve aktive ka arritur mbi 16.800, prej të cilëve mbi 7.700 vetëm në Shkup. Në kryeqytet janë tri komunat që kanë mbi 1 mijë raste aktive si Aerodromi, Gazi Baba dhe Karposhi. Edhe Tetova dje kaloi 1 mijë raste aktive, pason Prilepi, Velesi dhe Kumanova.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button